Treg

Tani kafenë do ta paguajmë më shtrenjtë: Bie konsumi në lokalet e Tiranës

Në lokalet e Tiranës tani kafeja do të kushtojë më shumë teksa në kundërshtim me rritjen e çmimit, konsumi ka rënë. Kjo po ndihet jo vetëm aty, por edhe nëpër restorante.

Si një produkt tërësisht importi, rritja e çmimeve në shtetet e huaja reflektohet shpejt edhe në tregun vendas, duke mos e përjashtuar atë nga vazhda e të gjithë produkteve të tjera që janë rritur.

Në Italinë e famshme për kafen, grosistët pohojnë se tashmë kjo është shdërruar në një biznes mbijetese. Edhe në Shqipëri, Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj pohon për Gazetasi.al se lokalet e vogla të lagjeve ku kafeja kushton 60 lekë, priret të shkojnë drejt falimentimit pasi nuk do ia dalin dot të mbulojnë kostot.

Enri Jahaj, Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve

“Situata e çmimeve është e përkohshme. Në krahasim me vendet e rajonit ku kafeja kushton 1 euro, Shqipëria ka nivelin më të ulët, ndaj çmimi do të shkojë drejt këtij standardi nga 70 apo 80 lekë që është tani në vende specifike. Pavarësisht rritjes së çmimeve të produkteve bazë, ndryshimi deri tani nuk është reflektuar te produktet finale, pasi kostoja është amortizuar nga subjektet e shërbimit të cilët nuk do të kenë mundësi që ta përballojnë edhe për shumë gjatë”, thotë ai. “Me dinjitetin që pretendojmë t’u jepet punëtorëve të shërbimit, çmimi duhet të jetë më i lartë”, shton Jahaj.

Aktualisht, në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit.

Ndonëse shqiptarët konsiderohen si një popull kafedashës dhe frekuentues të mëdhenj të kafeneve, duke i shëndërruar ato në një ‘tempull’ ku çlodhen, bëjnë takime pune, familjare e kësisoj, konsumi ka rënë.

Jahaj pohon se kur ka pasiguri në horizont, njerëzit janë të prirur të tkurrin shpenzimet e tyre dhe sjellja konsumatore kufizohet jo vetëm në klientelë por edhe në mendësi.

Ai paralelizon të njëjtën situatë me pandeminë e cila krijoi një model të ri të sjelljes të klientit dhe njerëzit u prirën ta konsumonin kafenë apo vaktin e tyre në shtëpi.

Një bar bosh në Tiranë gjatë pandemisë

Rënia më e madhe e konsumit po vihet re nëpër restorante, aty ku rritja e çmimeve të lëndëve të para u reflektua shpejt.

“Çmimet e produkteve ushqimore janë rritur deri në 40% dhe kryesisht vaji i cili përdoret gjerësisht në këtë sektor. Është e kuptueshme që konsumi do të ulet sepse njerëzit në situata të tilla priret të kursejnë. Sot blerësit shohin me vëmendje faturat e ushqimeve të tyre pasi ka rritje të secilit produkt”, thotë ai për Gazetasi.al duke shtuar se kjo do të jetë një tjetër goditje për sektorin e shërbimeve pas pandemisë e cila e uli ndjeshëm konsumin në këto struktura.

Tregu global i kafesë pati një rritje çmimi gati me 30% para disa muajsh për shkak të thatësirës më të keqe të shekullit që preku Brazilin, prodhuesin më të madh të kafesë, por ndonëse rritja e çmimeve u reflektua edhe në Shqipëri, konsumi nuk ra asokohe.

Shqiptarët nuk u ankuan për rritjen me 20 lekë të kapuçinos, kakaos apo ekspresit. E porositën dhe e paguan si gjithnjë por krejt ndryshe,tani pasiguria për luftën dhe inflacioni i lartë në vend po i bëjnë t’i mendojnë dy herë shpenzimet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë