Nga Gazeta “SI”– Në koleksionet historike të Arkivit Qendror Shtetëror, në Fondin “Athanas Tashko”, patriotit të shquar, në dosjen nr. 54, ruhet një dokument i përveçëm: një rrotull pergamene shkruar etiopisht. Veç tekstit, dokumenti përmban edhe dekore të përveçme.
Po se ç’është ky dokument, dhe çfarë përmbajtjeje ka, e shpjegon për Gazetasi.al studiuesi dhe arkivisti Sokol Çunga.
“Në institucionin tonë dhe, me sa dimë, në Shqipëri nuk kemi specialistë të gjuhës dhe llojit të këtij dokumenti. Rrotulla e Fondit “Athanas Tashko” është një shirit pergamene shkruar në dialektin ge’ez të etiopishtes, që është gjuha liturgjike për të krishterët e vendit. Objekti është një talizman, ose, thënë ndryshe, hajmali. E quajmë “rrotull” sepse, pavarësisht mënyrës si ruhet sot, në çastin e prodhimit të vet ka qenë ruajtur duke u mbështjellë rreth vetes”

Ky talizman shpjegon Çunga, është krijuar si një formë hajmalie për të mbajtur larg të keqen.
“Ky talizman, siç dhe ndodh natyrshëm, është prodhuar për të ruajtur mbajtësin e tij nga e keqja, për të larguar demonët dhe për t’i dhënë shëndet e begati. Siç thamë më sipër, nuk jemi në gjendje të lexojmë shkrimin, për të kuptuar nëse ky talizman lidhet me zotëruesin e tij të fundit, para ardhjes në arkiv, Athanas Tashkon, apo me dikë tjetër”
Origjina e talizmanit është mistike. Thuhet se daton para përmbytjes se Arkës së Noes, kjo sipas një versioni të parë.
“Sipas traditës, arti i talizmaneve nuk ka natyrë njerëzore. Është veprim me përmbajtje mistike, i riprodhuar besnikërisht, që prej çastit të parë ku iu zbulua njeriut. Nuk ka vetëm një variant që rrëfen mënyrën se si mbërriti kjo traditë tek njeriu. Për dikë, kjo ndodhi në periudhën përpara përmbytjes dhe Arkës së Noes dhe shkaktar i kësaj u bë demoni Azaziel. Për të tjerë, vetë Zoti ia zbuloi këtë të fshehtë Abrahamit dhe Solomonit.

Sipas traditës së parë, disa nga bijtë e Setit, djalit të tretë të Adamit dhe Evës, u tunduan nga Azazieli, zbritën nga Mali i Shenjtë, ku kishin shkuar për të agjëruar dhe për t’u lutur, dhe u martuan me vajzat e Kainit, vëllavrasësit. Kështu, të fshehtat qiellore që bijtë e Setit kishin mësuar nga jeta e tyre në praninë e engjëjve, zbritën tek njerëzit e shthurur. Deri në atë kohë vetëm engjëjt dinin të shkruanin me bojë të zezë dhe të kuqe, vetëm ata dinin si të ftonin djajtë dhe t’i largonin ata, apo si të thërrisnin emrat e fshehtë të Zotit”- shpjegon ai.
Po ashtu shton Çunga , ekziston edhe një traditë e dytë shpjegon ai e cila ka lidhje më islamin.
“Kurse sipas traditës së dytë, kjo njohuri e përveçme zbriti mes vdekatarëve prej Solomonit, të cilit vetë Kryeengjëlli Mikael i dha një unazë, në të cilën ishte gdhendur një emër i fshehtë. Prej kësaj unaze buronte pushteti për të qeverisur gjithë djajtë dhe forcat e nëndheshme, të cilat Solomoni i përdori për të ndërtuar në Jerusalem tempullin që mori dhe emrin e tij.
Nuk ekziston një datë konkrete se kur filloi të përdorej kjo lloj “magjie e bardhë” në Etiopi. Studiuesit mëtojnë se etiopasit e morën traditën e talizmaneve prej persëve dhe islamit. Prodhuesit e këtyre objekteve quhen dabtara, persona të cilët kryejnë funksionin e kopistëve dhe zakonisht janë klerikë të pa shuguruar. Në parantezë, shtojmë se Etiopia shquhet për pasurinë librore në formë dorëshkrimi, dhe është atdheu i disa prej kopjeve më të hershme të Biblës”

Talizmanët si figura magjike janë krijuar si mburojë ndaj të zotit të saj thotë studiuesi Çunga , çka shpjegon se koha e jetës së tyre është e njëjtë me atë të mbajtësit të tyre. Ruajtja e tyre në arkivin shqiptar vjen si kurizoitet dhe dëshirë për të mësuar më shumë për to çka e shtyu edhe ruajtësin Athanas Tashko.
“Përmbledhja më e hershme e formulave magjike dhe emrave të shenjtë, të fshehtë për njerëzit, daton në shek. XIV (pas K.). Ndërkaq, talizmanet më të hershme etiopase datojnë në shek. XVII. Arsyeja dikton se këto objekte, duke qenë se prodhohen për përdorim vetjak, nuk ruhen më gjatë se koha fizike së cilës i referohen. Pasi kryejnë efektin, pra, shërimin nga sëmundja, dëbimin e demonëve apo ruajtjen nga e keqja gjatë një periudhe të jetës, rrotullat nuk janë më të dobishme për zotëruesin e tyre. Është thjesht kureshtja e jovendasve, si në rastin tonë, e Athanas Tashkos, që i ruan ato”
Çunga paraqet edhe detajet se çfarë përmban talizmani i ruajtur në Drejtorinë e arkivave shqiptare.
“Talizmani ynë është një shirit pergamene 211 cm i gjatë dhe 12 cm i gjerë, i prodhuar prej dy fletëve me përmasa 138 dhe 73 cm të qepura me njëra tjetrën. Shkrimi është punuar me bojë të zezë, që herë pas here merr nuanca kafe, dhe bojë të kuqe. Tekstin e hasim vetëm nga njëra anë, nga ana e brendshme e pergamenës. Talizmani përmban, po ashtu, dhe 5 imazhe. Ndonëse figurat në skicimin e tyre nuk ruajnë gjithmonë simetrinë dhe nuk janë punuar me parime sistematike, ngjyrat janë aplikuar në mënyrë harmonike.

Imazhi i parë, ai që hap talizmanin, paraqet disa figura të lidhura me njëra tjetrën. Pesë fytyra njerëzore, dy prej të cilave me një trekëndësh dallues përsipër. Në dy anët e ansamblit të fytyrave, punuar pothuaj në akse simetrike horizontale dhe vertikale, paraqiten katër figura me pamje të përbindshme, me gjasë, demonë ose krijesa që evokojnë demonët.
Imazhi i dytë është një ansambël prej tri skenash. Lart dhe poshtë paraqitet nga një engjëll, kurse në qendër përsëriten pesë fytyrat, si në imazhin e parë, dy prej të cilave ruajnë sërish trekëndëshat mbi kokë.
Imazhi i tretë mbyll talizmanin dhe shërben si vulosje e tekstit. Mund të interpretohet në dy mënyra. Sipas një varianti, paraqet një engjëll në qendër të një kryqi, i cili i brendashkruhet një ylli me dymbëdhjetë cepa. Sipas një varianti tjetër, personi në qendër të figurës është demon i kapur nga rrjetat e Solomonit, kur ky mësoi të nënshtronte demonët
Nuk dimë nëse talizmani vijon të bartë fuqinë e tij mbrojtëse. Nga objekt që ofron ruajtje, talizmani sot është objekt i ruajtur prej arkivit, teksa kjo është detyra jonë: ta ruajmë lëndën dokumentare dhe t’ia shërbejmë publikut” mbyll shpjegimin studiuesi Sokol Çunga

Fondet e Arkivit Qendror Shtetëror nuk ruajnë vetëm dokumente të prodhuara nga veprimtaria institucionale apo njerëzore, por edhe dokumente të prodhuara për të na ruajtur. I tillë është rasti i talizmanit që ruhet në fondin personal të patriotit Athanas Tashko. Misteret e talizmanit shkruar në dialektin ge-ez të etiopishtes nuk munden të zgjidhen ende dhe sot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.