Taksa

‘Taksat e verës’, prona, ndërtesa, toka bujqësore e sigurimi i detyrueshëm i banesës nga tërmetet

Nga Gazeta ‘Si’ – Pas draftit për rritjen e taksës së pronës të njoftuar përpara disa ditësh, Ministria e Financave nxorri për konsultim publik ditën e djeshme (7 gusht) projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti.

Sipas tij, sigurimi që paguhet nga poseduesit e banesave do të rinovohet çdo 1 vit, ndërsa për shtresën në nevojë do të paguajë shteti.

Vendimet e fundit të qeverisë, të deklaruara në mes të verës, duket se po shtojnë barrën mbi qytetarët.

Rritja e taksës së pronës

Nga 230 lekë deri në 2.600 lekë në vit më shumë do të paguhet me taksën e pasurisë e llogaritur sipas çmimeve të reja fiskale të miratuara nga qeveria.

Taksa është sa 0.05% e vlerës së apartamentit, ndërsa për bizneset kjo taksë do të jetë 0.15%.

Sipas metodologjisë së miratuar në 2018-ën, kur nuk është i mundur përcaktimi i vlerës së apartamentit, merret për bazë çmimi i referencës së zonës.

Referuar tabelës së çmimeve fiskale, p.sh për zonën e ish Bllokut që përkon me zonën kadastrale 5/1, vlera e një apartamenti me sipërfaqe 90 m2x190,000 lekë/m2 çmimi fiskal i vitit 2018 është 17,100,000 lekë.

Taksa e pasurisë që paguhej në 2018 ishte 8.850 lekë në vit. Çmimi fiskal referencës për këtë zonë u rrit 20%, duke arritur në vlerën e 228.400 lekëve për metër katror.

Taksa vjetore do të jetë 20% më e lartë.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj njoftoi se ligji do të hyjë në fuqi në vitin 2026 për njësitë e ndërtesave dhe në 2028-ën për parcelat.

Ajo njoftoi se gjatë pesëmujorit të parë të vitit janë mbledhur 2.7 miliardë lekë nga taksa e pronës, ndërsa përgjatë gjithë vitit llogaritet të mblidhen gati 7 miliardë lekë.

Taksa e ndërtesës

Të njëjtat ndarje dhe fasha do të përdoren edhe për taksën e ndërtesës. Detyrimi për taksën mbi ndërtesën llogaritet si shumëzim i bazës se taksës me shkallën e taksës mbi ndërtesën.

Për ndërtesat që shfrytëzohen për banim taksa do të jetë 0.5%.

Për ndërtesat ku zhvillohen veprimtari ekonomike, biznese, do të jetë 0.2%.

Një normë të lartë taksimi do të kenë edhe sipërfaqet ndërtimore që nuk është përfunduar në kohë, 30%.

Taksa e tokës bujqësore

Baza e taksës për tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore, në hektar, në pronësinë ose posedimin e taksapaguesit dhe niveli i taksës do të caktohet në lekë për m2.

Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e taksueshme.

Sipërfaqja e tokës në pronësi përcaktohet sipas dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë.

Në rast kur mungon dokumentacioni i vërtetimit të pronësisë, poseduesi i tokës bujqësore bën një vetë-deklarim të sipërfaqes së tokës bujqësore, pranë Bashkisë ku ndodhet toka.

“Kush nuk siguron banesën nuk merr shërbime nga E-Albania dhe QKB”

Ata që nuk do të sigurojnë banesën do të kenë penalizime.

Në nenin 33 të pr/ligjit theksohet se qytetarët që nuk paguajnë primin e sigurimit të detyrueshëm të banesës nga tërmeti nuk do të marrin dot shërbime publike nga platforma e-albania, përfshi shërbimet kadastrale. Gjithashtu bizneset nuk do të marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Sipas këtyre ndryshimeve, detyrimin për blerjen e policës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre.

Sigurimi i detyrueshën nuk do të zbatohet për ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër – kallami ose të ngjashme; ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.

Detyrimin për sigurimin nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre.

Vlera që duhet të paguhet do të përcaktohet me vendim qeverie por paraprakisht vlerësohet se kjo shumë mund të variojë nga 15-50 euro në vit.

Për të menaxhuar dhe administruar të gjithë procesin parashikohet ngritja e një shoqërie aksionere në varësi të ministrisë së ekonomisë e cila do të emërtohet: “Fondi Kombëtar për Tërmetet”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë