Europa do të lançojë programin e saj të shumëpritur ETIAS, që është një autorizim elektronik për udhëtimet, i cili duhet plotësuar dhe paguar përpara udhëtimit. Padyshim që ai nuk është një “vizë”, megjithëse në fakt, është një vizë, pavarësisht se Europa nuk e pranon këtë.
Megjithatë, një gjë është e sigurt: kjo është një taksë e re prej 7 euro për udhëtimet në Europë.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe të Zonës Shengen do të nisin programin e udhëtimit ETIAS në maj të vitit 2023. Për turizmin dhe udhëtimet drejt këtyre shteteve do të nevojitet një autorizim ETIAS përpara nisjes, për shumicën e vizitorëve.
Zona Shengen e Europës përbëhet nga:
Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lihtenshtejni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Zvicra.
Në thelb, nëse do të vizitoni një nga këto vende duke filluar nga maji i vitit 2023 e tutje, ndoshta do t’ju duhet të plotësoni një ETIAS përpara se të shkoni atje, si dhe do t’ju duhet të paguani tarifën shoqëruese prej 7 euro. Për verën e vitit 2022 nuk do të ketë asnjë ndryshim.
Ky program është i ngjashëm me programin e udhëtimit “ESTA” të Shteteve të Bashkuara, duke u kërkuar të gjithë vizitorëve që të aplikojnë paraprakisht për një autorizim të udhëtimit dhe që të paguajnë një tarifë.
Programi europian i ETIAS do të kushtojë 7 €. Një ETIAS i miratuar do të ketë një vlefshmëri 3 vjeçare dhe do të mundësojë qëndrimin deri në 90 ditë për qëllime udhëtimi dhe turizmi, por jo për arsye biznesi. Ashtu si sistemi amerikan, aprovimet e kërkesave mund të zgjasin zakonisht për disa orë, rallë për disa ditë, për pjesën më të madhe të vizitorëve, por mund të shkojnë maksimalisht deri në 30 ditë.
Zona Shengen e Europës ka gjithashtu një sistem qëndrimi prej 90 ditë nga 180 ditë, dhe 180 ditë nga 365 ditë, që do të thotë se turistët nuk mund të qëndrojnë më gjatë se kohëzgjatja e këtyre periudhave në një vit.
Pra, a është ETIAS një vizë turistike?
Sipas përkufizimit të konceptit të vizës, në thelb kjo është një vizë, por duke qenë se vizat kanë një konotacion negativ, Europa është e bindur se kjo nuk është një vizë.
Megjithatë, përkufizimi i vërtetë i vizës është “autorizim i kushtëzuar i dhënë nga një shtet për një të huaj, që e lejon atë të hyjë, të qëndrojë ose të largohet nga territori i tij”.
Vizitorët nga më shumë se 60 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, do të duhet të paguajnë dhe të dorëzojnë një ETIAS përpara se të lejohen të hipin në çdo lloj transporti drejt një prej vendeve të zonës Shengen të Europës. /Greek Times. Përshtati Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



