Në takim me përfaqësuesit e Transportit Publik në vend, ministrja e Energjitikës dhe Infastrukturës Belinda Balluku deklaroi se kompanitë e transportit publik do të kompensohen 100 lekë për litër naftë për të mos pasur rritje të çmimit të biletës për qytetarët. Gjithashtu, financimi i tye nga buxheti i shtetit do të vazhdojë normalisht deri në limitin e 5 mln eurove.
Sipas Ballukut, mjetet që operojnë në këtë fushë, shpenzojnë 2 mln litra karburant në muaj dhe kosto pasqyrohet direkt tek qytetarët më vulnerabël që e përdorin këtë transport.
Në takim ishin edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministrja e Financave Delina Ibrahimaj. Rama ritheksoi se ai e paralajmëroi këtë krizë dhe jo se “shikon fall’”, por sepse ishte konsultuar me specialistë.
Në komunikim me përfaqësuesit Kryeministri tha se heqja e TVSH-ve për karburantet duhet harruar sepse nuk do të ndodhë, duke lajmëruar se do të ketë një tjetër takim me ta.
Ministrja e Financave që po ashtu, i ftoi përfaqësuesit në një tjetër takim dhe tha se pasojat e luftës do të zgjasin më shumë dhe se “ne mund të mbulojmë vetëm 100 lekë/litër”,-tha ajo.
“Çfarë ka buxheti i shtetit është për ju dhe jo për ne, por do të varet çdo gjë nga temperatura ekonomike. Nëse ka acar nuk ju ngrohim dot”,- tha Kryeministri Rama në takim, duke shtuar se në vendin tonë janë taksat më të ulëta në botë.
Kreu i shoqatës së transportit urban Rixhin Qosja, pjesë e takimit, kërkoi që qeveria të mos takojë me përfaqësuesit e këtij sektori vetëm në kohë krize, por të tregojë kujdes edhe në situata normale.
Të tjerë përfaqësues folën për mundësinë e përmirësimit të standardeve të urbanëve dhe minimizimin e dëmit në mjedis. Po ashtu edhe për një rishikim të mëtejshëm dhe më të detajuar të analizës kosto-përfitim të sektorit, që u vendos të bëhej në një takim të dytë më qeverinë. Por përfaqësuesit e transportit nuk reaguan për ndihmën që qeveria njoftoi për ta në këtë takim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



