Shendet

Tajvani zhvillon vaksinën Medigen që prodhon 3 herë më shumë antitrupa se AstraZeneca

Tajvani nisi mes kritikave procesin e vaksinimit me një vaksinë vendase, që ende nuk ka përfunduar fazën e tretë të testimeve. Vaksina Medigen mori autorizimin për përdorim emergjent në muajit korrik dhe për të dhënë mesazhin e sigurisë së saj, vetë Presidentja Tsai Ing-wen transmetoi drejtpërdrejtë momentin kur mori dozën e parë të kësaj vaksine.

Medigen është vaksinë e zhvilluar nga kompania tajvaneze “Medigen Vaçine Biologics Corp.” në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë së SHBA. Si pjesë më e madhe e vaksinave edhe ajo kërkon dy doza, por me distancë kohore 28 ditë.

Nuk ka ende të dhëna zyrtare në lidhje me efikasitetin e kësaj vaksine, por autoritetet vendase dhe kompania që qëndron pas zhvillimit të saj thotë se në fazat testuese e krahasuan Medigen me vaksinën AstraZeneca dhe sipas këtyre krahasimeve, antitrupat e zhvilluara në organizëm pas marrjes së Medigen ishin 3.4 herë më të larta se ato të AstraZeneca.

Presidentja Tsai Ing-wen, e cila refuzoi vaksinimin me Modernan dhe AstraZeneca, dy vaksinat kryesore me të cilat vendi po imunizon qytetarët tha se kishte besim te Medigen. Deri më tani mbi 700 mijë njerëz kanë aplikuar për t’u vaksinuar me këtë vaksinë, ndërkohë që Tajvani thotë se nuk do të aplikojë vaksinimin e detyrueshëm për qytetarët.

Medigen është vaksinë që përmban virus të dobësuar dhe pas injektimit nxit imunitetin e trupit që të prodhojë antitrupa. Sipas kompanisë zhvilluese të kësaj vaksine, metoda e përdorur nga kjo vaksinë ndryshon nga ajo e vaksinave kineze, që gjithashtu janë me virus të dobësuar.

Qeveria tajvaneze thotë se ka porositur paraprakisht 5 milionë doza të kësaj vaksine, ndërsa ekspertë vendas të shëndetësisë e cilësojnë si të nxituar miratimin dhe hedhjen e saj për përdorim. Kundërshtarët thonë se mbështesin përpjekjet për prodhimin e një vaksine vendase, por ajo duhet t’u ofrohet qytetarëve me bindjen e plotë se nuk do të ketë efekte anësore.

Shqetësimet janë hedhur poshtë nga kompania Medigen, që thotë se vaksina e saj është e sigurtë dhe e testuar plotësisht.

“Kemi zhvilluar aq shumë eksperimente, sa të gjithë e kanë parë se sa e sigurt është vaksina jonë. Ka shumë pak efekte anësore dhe pothuajse nuk shkakton temperaturë. Prandaj, të gjithë duhet të jenë të qetë”, tha për Reuters kreu ekzekutiv i medigen, Charles Chen.

Tajvani ka vaksinuar rreth 40 për qind të popullsisë prej 23 milionë banorësh që ka ishulli, një proces që ka ecur me shpejtësi të madhe, duke pasur parasysh që në muajin maj vetëm 5 për qind e popullsisë ishte e vaksinuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë