Politike

Tahiri: SHBA presion drejtësisë! Unë jam i lirë, servila e shushunja në Qeveri e Parlament jo!

I shoqëruar nga një grup i ngushtë njerëzish, Saimir Tahiri doli pak pas orës 11:30 të kësaj të shtune në konferencën para mediave të njoftuar një ditë më parë. Por, përmbajtja e fjalimit të tij justifikoi interesimin relativisht të madh të gazetarëve në këtë dalje të tij vetëm në komentin e shkurtër që i bëri qëndrimit të Ambasadës Amerikane pas dënimit të tij për “shpërdorim detyre”.

Ambasada Amerikane ndoqi përmes përfaqësuesve të saj një pjesë të mirë të seancave gjyqësore ndaj Saimir Tahirit dhe në reagimin e parë pas vendimit që i zbuti ndjeshëm akuzat ndaj ish-ministri të Brendshëm, përfaqësia diplomatike e Uashingtonit dhe ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman reflektohen nota zhgënjimi mbi zbutjen e akuzave. Vetë Tahiri u mundua të tregohej i përmbajtur në komentimin e këtyre deklaratave, por përballë këmbënguljes së gazetarëve reagoi duke nënkuptuar se këto deklarata ishin presion i drejtpërdrejtë mbi gjyqtarët.

“Dekurajuese edhe për mua që i dëgjova ato deklarata. Në kulturën time nuk flitet për vendimet e gjykatave, për më tepër për një vendim që nuk është zbardhur ende. Nuk besoj se ndodh në Amerikë që një ambasadë flet mbi një vendim gjykate, nuk besoj se mund të ekzistojë një presion më i madh mbi gjyqtarët se sa ky“, tha ai.

Në pjesën tjetër të deklaratës, ish-ministri i Brendshëm përsëriti qëndrimin se do të apelojë vendimin e Gjykatës për Krimet e Rënda që e gjeti fajtor për shpërdorim detyre. Ai tha se vetë është i paqartë se cilin ligj ka shkelur që ka shpërdoruar detyrën dhe për të mësuar këtë po pret zbardhjen e vendimit të arsyetuar nga gjykata. Me këtë rast, gjeti kohë për t’u kthyer pas në kohë për të akuzuar sistemin e drejtësisë për hipokrizi.

“Ka pasur Shqipëria ministra të Brendshëm të tjerë, të tjerë kryeministra. Një ministër i Brendshëm, kur u vranë 4 qytetarë në bulevard nuk u akuzua për shpërdorim detyre. Por, as Kryeministri nuk u akuza për shpërdorim detyrë për Lazaratin, që u mbush me drogë dhe tha se ishte vendimi i imi. As ministri i Mbrojtjes nuk u akuza për shpërdorim detyre për 25 të vrarët në Gërdec. Shesin mend dhe dëngla dhe më bëjnë mua gjyqin në emër të popullit. Unë jam shumë lart në lidhje me ta”, deklaroi Tahiri.

Ish-ministri i Brendshëm tha se burrat dallohen nga cilësia e armiqëve që kanë përballë. Për cilësinë e armiqëve që ka përballë, Saimir Tahiri nuk foli gjatë, por mes rreshtave nënkuptoi se sasia e tyre është e madhe. “Armiqtë” ish-ministri i Brendshëm i gjen që nga ish-kolegë të tij në Parlament e Qeveri, opozita e deri tek media, përfshirë gazetarë e analistë. Ndonëse nuk pajtohet me vendimin, gotën e sheh gjysmë plot.

“Numri i servilave dhe shushunjave vetëm shtohet. Edhe ata që nuk m'u ndanë nga fyti që ditën e parë. Burrat dallohen nga cilësia e armiqëve që kanë. Sigurisht ishte një gjysmë lajm i mirë, gënjeshtrat morën një përgjigje”, vijoi ai.

Tahiri nuk provoi as prangat në duar dhe as qelinë, por dënimi me 3 vite shërbim prove në vetvete është një kufizim lirie. Pavarësisht kësaj, Saimir Tahiri tha se nuk ishte kurbani i askujt, ashtu siç thotë opozita, që e cilëson kurban të Edi Ramës dhe as nuk ndjehej një njeri me liri të kufizuar.

"Më keni pyetur disa herë do bëhesh kurban apo nuk do bëhesh kurban dhe të them të vërtetën më fyeni me këtë pyetje. Kurban do të thotë të mos jesh i lirë. Kurban janë edhe disa në Parlament, se nuk janë të lirë të flasin atë që mendojnë, por vetëm atë që u thonë. Jo unë. Ka të burgosur pafund sot nga ata që janë të lirë dhe qeverisin kudo. Ata janë kurban! Unë jo”, deklaroi ish-ministri.

Prioritet për të është aktualisht beteja me drejtësinë, por në përfundim të mbylljes së hesapeve me të, Saimir Tahiri nuk lë të hapur vetëm derën e Partisë Socialiste për rikthimin aktiv në politikë.

"Sa i takon rikthimit tim në politikë, nuk e di pse e keqkuptoni sikur patjetër rikthimi është në Qeveri, ose në qeverisje. Nuk do të thotë të kesh një karrige që të rikthehesh me një kontribut të caktuar në publik. Se çfarë do të bëj me karrierën time dhe me jetën time, këtë nuk e ka në dorë as partia, as cilido individ brenda asaj partie. Këtë e kam në dorë vetëm unë", tha Tahiri.

Ish-ministri i Brendshëm shfaqi dy pendesa. E para, për ndëshkimin me padrejtë të qytetarëve në fillimet e detyrës së tij, duke iu referuar këtu arrestimit të dhjetra personave të gjykuar dhe dënuar për doza të vogla droge dhe e dyta që kishte bërë publike përmasat e kultivimit të hashashit, që sipas tij nuk ishte i kufizuar vetëm në Lazarat, ashtu siç perceptohej.

Sa i takon të parës, Saimir Tahiri thotë se ndjesën ndaj qytetarëve e ka kërkuar edhe përmes veprimeve, duke dorëzuar në parlament një projektligj i propozuar prej tij. “Miratuan propozimin për mbrojtjen e kafshëve, ndërsa ai tjetri fle aty në Kuvend”, tha ai.

Saimir Tahiri, Gazeta Si, 21 shtator 2019

Propozimet lidhen me ndryshimin e Kodit Penal dhe ishin pjesë e 3 propozimeve që në 2017, atëherë deputet, Saimir Tahiri depozitonte në Kuvend. Ajo për mbrojtjen e kafshëve u reflektua, por ndryshimi për që të mos penalizohen njësoj ata që kapen me sasi të vogla droge me ata që kapen me kilogramë, jo.

Tahiri propozonte që konsumi dhe mbajtja për përdorim vetjak e një sasie të kufizuar lënde narkotike të konsiderohet shkelje administrative dhe jo penale, duke u bazuar edhe në praktikën e shumë vendeve europiane dhe kategorizimi sipas sasisë i ndeshkimit për pjesën tjetër.

"Shitja e tregtia e lëndës narkotike vepër penale e dënueshme nga 1 deri në 5 vjet burg për sasi të vogla, e 1 deri në 10 vjet burg në sasi më të mëdha. E njëjta gjë do vlejë edhe për kultivimin e bimëve narkotike, pra një dispozitë e veçantë për importimin, eksportimin, tranzistimin, mbajtjen blerjen e shitjen e farave të kanabisit. Do denohet nga 3-7 vjet, kultivimi në sasi mesatare, kultivimi në sasi që nuk janë më të vogla do dënohet me 1-3 vite, kultivimi në sasi të mëdha nga 5-10 vjet”, shprehej ai në atë kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë