Është shtyrë për herë të dytë seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Gjykata e Krimeve të Rënda e ka shtyrë seancën, pasi prokura e një prej të pandehurve, Gjergj Kohilës nuk ishte e rregullt.
Dy të pandehurit e tjerë, Jaeld Çela dhe Sokol Bode paraqitën prokura përfaqësimi dhe kishin përcaktuar se kishin dijeni për seancën. Ndërkohë kjo gjë nuk është bërë nga i pandehuri tjetër në mungesë Kohila, i cili kishte paraqitur një prokurë për t’u përfaqësuar nga një avokat, por nuk kishte përcaktuar në të se kishte dijeni për seancën. Seanca e radhës do të mbahet më 17 korrik.
Pas daljes nga ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda në një deklaratë për mediat, ish-ministri Tahiri është shprehur i keqardhur për shtyrjen sërish të seancës. Ndër të tjera, ai tha se do vazhdojë të kërkojë mbylljen e gjyqit sa më shpejt.
“Keq më vjen që u shty prapë. Unë do vazhdoj të kërkoj gjithmonë një gjyq sa më shpejt se nuk ka më terezi njeri që ky gjyq të zgjatet kaq shumë. Shqipëria ka ecur para, vetëm gjyqi im ka ngecur”, është shprehur ndër të tjera ish-ministri.
Ish-ministri Tahiri ka paraqitur që në fillim një kërkesë ku kërkon të procedohet me gjykim të shkurtuar. Nëse kërkesa e tij pranohet, atëherë çështja e tij do të ndahet nga ajo e tre të pandehurve të tjerë, kërkesa e të cilëve për gjykim të shkurtuar nuk është pranuar.
Ndaj ish-ministrit Tahiri rëndojnë 3 akuza: “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




