Lajme

Tahiri në gjyq: Jam ende ministri kampion, do flas edhe unë!

Në përfundim të një seancë maratonë prej më pak se 8 orësh, Gjykata për Krime të Rënda vendosi sot të nisë gjykimin për çështjen “Tahiri”, i cili akuzohet për trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si dhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror.

Gjatë seancës, Saimir Tahiri dhe avokati i Jaeld Çelës, (ish-drejtori i Policisë në Vlorë) kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, por pa pranuar pafajësinë.

Në përfundim, Tahiri tha se do t’i shkojë çështjes deri në fund, ndërsa kërkoi që gjykimi ndaj tij të mos zvarritet.

“Shkojmë në gjykim dhe ky është një shans për mua për të treguar atë që kam thënë gjithmonë, nuk duhet të merrem me llojin e seancës. Kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritjeje pafund”, tha Tahiri.

Ai tha se kjo është një çështje që shpejt do të zbardhet, ndërsa tha se ndihen keq për njerëzit e thjeshtë që vuajnë mungesën e një drejtësie.

“Kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritje e pafund, prokuroria pretendon atë që pretendon. Unë kam shumë më shumë për të pretenduar se prokuroria, kështu që nuk ka nevojë për zgjatje pafundësisht.

Tahiri këmbëngul se është i pafajshëm në këtë çështje, duke marrë si shembull edhe vendimin e gjykatave dhe Prokuorisë italiane, ku rasti i tij u hetua më herët.

“Do të vazhdoj deri në fund të argumentoj atë që kam pretenduar nga fillimi që nuk kam pikë lidhje me këtë çështje, atë që vërtetoi prokuroria e Italisë, gjykata italiane. Prokurorët mendojnë se pikërisht vendimi i Italisë është gjetje që nuk kam lidhje fare, prokurorët argumentojnë ndryshe. Kjo është çështje e tyre, do ta shohim në gjykim. Drejtësia prandaj është e bukur, në pjesën dërmuese të rasteve nuk bën drejtësi por në ato pak raste kur bën drejtësi ja vlen”.

Ish-ministri shtoi më tej se i ka kërkuar Prokurorisë të bëjë një akuzë të saktë dhe të qartë për shkeljen e ligjit që pretendohet se ka bërë, por sipas tij nuk ka marrë përgjigje.

“Prokuroria nuk u përgjigj. Deri më sot keni folur ju, sot e tutje do flas edhe unë. Nuk mund të jetë një proces i mbyllur. Ka kohë, unë do të pres, ky proces i ka kapërcyer kufijtë e një maskarade, jam mësuar edhe më keq dhe them se do ia dal. Nuk bëj politikë deri në momentin kur kjo çështje që më hapi politika të mbyllet. Çdo kusur që po përjetoj deri tani do ja dal deri në fund, nuk është dhe aq e kollajtë që të jem ose jo unë kurbani, nuk më shqetëson shumë kjo. Unë jam prapë ministri kampion të jeni të bindur, atë që kam bërë për policinë nuk mund t’i ktheni kurrë mbrapa”, – vijoi ai.

Treshja e prokurorëve pretendon se Tahiri ka përfituar dhurata nga grupi kirminal Habilaj duke i krijuar atyre lehtësi në trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali.

Kreu i këtij grupi kriminal, Moisi Habilaj është i arrestuar dhe po i nënshtrohet një procesi gjyqësor në Itali, ndërsa nga prokuroria e Antimafies italiane, e cila është dhe prova më e fortë e ish-ministrit të Brendshëm, nuk faktohet përfshirja e tij si bashkëpunëtor me grupin e organizuar të trafikut ndërkombëtar të drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë