Lajme

Tabaku: Shqipëria e para në rajon për numrin e azilkërkuesve

“Kjo mazhorancë po e bjerr Shqipërinë nga shqiptarët. Shqipëria e para në rajon dhe e treta në botë për numrin e azilkërkuesve!”, kështu shprehet ish-deputetja Jorida Tabaku në një postim në rrjetin social “Facebook”.
Tabaku shprehte se sa më e zhurmshme bëhet propaganda e qeverisë, aq më shumë shqiptarët po largohen nga rilindja.
“Të dhënat e institucioneve ndërkombëtare raportojnë se Shqipëria është vendi i parë në rajon sa i takon azilkërkuesve.
Nga janari i këtij viti deri në mars janë 6267 shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e BE ndërkohë që rastet e mbajtura në shqyrtim i kalojnë 10 mijë kërkesave për azil. Sipas statistikave shqiptarët përbëjnë 4% të totalit prej 55 mijë azilkërkues për marsin 2019.
Kjo plagë e thellë dhe e dëmshme për shoqërinë tonë dhe për të ardhmen e vendit vazhdon të dëmtojë popullatën e vendit duke e bjerrur atë përditë e më shumë. Janë 43 mijë shqiptarë që kanë kërkuar azil nga viti 2017 deri në 2018 ndërsa numrat në rritje për vitin 2019 na rendisin si vendi me më shumë azilkërkues pas Irakut, Iranit dhe vendeve të tjera që janë në konflikt”, shprehet Tabaku.

Ajo thotë se beteja e Partisë Demokratike është kthimi i besimit te qytetarët.
“Beteja e Partisë Demokratike është kthimi i besimit tek secili prej nesh. Çlirimi i ekonomisë nga kthetrat e oligarkëve që kanë mbytur ekonominë e tregut duke e centralizuar. Çlirimin e politikës nga inkriminimi dhe betejë e pakompromistë ndaj korrupsionit dhe krimit. Unë e di që duhet të merren vendime të rëndësishme, e di që nuk do të jetë e lehtë për te rikthyer shpresën, por zgjidhje tjetër nuk ka! Ose ta ndërtojmë këtu Europën tonë, ose ta lëmë Shqipërinë të degradojë në një rrugë pa kthim! Shqiptarët do të zgjedhin të parën!”, shprehet ndër të tjera Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë