Lajme

Tabaku: Rama dhe Veliaj rritën taksat, 25 mijë biznese u mbyllën

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një deklaratë për mediat u shpreh se taksat e Bashkisë Tiranë janë dyfishuar gjatë viteve 2015-2019 dhe biznesi është më i prekuri.
“Dy janë armiqtë e biznesit në Shqipëri që, me politikat e tyre klienteliste dhe korruptive, kanë falimentuar me mijëra biznese, duke favorizuar një grusht oligarkësh dhe trafikantesh droge. I pari është Edi Rama. I dyti është shërbëtori i tij në krye të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
Që prej ditës së parë që hipi në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj u shpalli luftë qytetarëve, biznesit dhe të vërtetës. Që në paketën e parë fiskale, të miratuar në dhjetor 2015 në Këshillin Bashkiak, ai ndërmori hapin represiv dhe diskriminues ndaj bizneseve dhe qytetarëve”, u shpreh ish-deputetja Tabaku.
Sipas saj, rritja e taksave nga Bashkia e Veliajt dhe nga qeveria e Ramës është arsyeja se pse sot në Tiranë janë mbyllur mbi 25 mijë biznese, duke e kthyer Tiranën në qytetin më të shtrenjtë.

“Rritja e taksave nga Bashkia e Veliajt dhe nga qeveria e Ramës është arsyeja se pse sot në Tiranë janë mbyllur mbi 25 mijë biznese, duke e kthyer Tiranën në qytetin më të shtrenjtë, në qytetin me taksat më të larta, në qytetin e pamundësisë.
1.Taksa e pronës është rritur nga 2 deri në 4 herë.
2.Taksa e pastrimit është dyfishuar për të gjitha kategoritë e biznesve dhe shkon në projektin korruptiv të inceneratorëve e në tenderat e Fushës nga ana tjetër.
3.Taksa e arsimit, një taksë e re e vendosur nga Veliaj, ka çuar në arkën e Bashkisë 20 milionë Euro, por sot shkollat po jepen me PPP, me fitim shumë të lartë, abuziv dhe korruptiv për ndërtuesin e shtëpisë së Erion Veliajt”, tha ndër të tjera Tabaku.
Në mënyrë që biznesi të forcohet, Tabaku ofron planin e Partisë Demokratike.
“Biznesi kërkon mundësi të barabarta dhe jo favorizim të disa klientëve të kryeministrit, ndërkohë që pjesa më e madhe e bizneseve sot ulin qepenat.
Të gjitha këto i siguron plani i Partisë Demokratike për Rimëkëmbjen e Ekonomisë. Por që t’u japim fund këtyre gjobave dhe t’i heqim këtë lak shqiptarëve nga fyti, duhet së pari të fitojmë betejën më të rëndësishme për shqiptarët, betejën për zgjedhje të lira e të ndershme!”, përfundoi Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë