Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku gjatë mbledhjes së ditës së hënë në Kuvend, akuzoi qeverinë për mashtrime në politikat fiskale dhe mos transparencë të plotë nga Instituti i Statistikave në vend.
Tabaku tha se inflacioni është më i lartë nga ai që ka publikuar Instat.
“Inflacioni është më i lartë nga 6% që publikon Instat. ¼ e PBB-së shkon për kontratat koncesionare. Në raportin e fundit nga FMN thuhet se të arkëtimet nga mbledhja e të ardhurave personale shkojnë në 2.2% të PBB-së, ndërsa të ardhurat nga mbledhja e taksave janë 1.5% më pak se ato. Kjo tregon mungesë vizioni dhe aftësie”,-tha deputetja e PD-së.
Ajo shtoi edhe se “qeveria mendon se është ideologjike të indeksojë hotelet e luksit në jug që kanë TVSH 5%,por jo shportën e produkteve bazë. Vijnë në parlament me ligje që përfitojnë vetëm disa individë. Qeveria ka refuzuar të shohë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen.”
Por ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj i hodhi poshtë akuzat, ndërsa krahasoi shifrat midis 2013-s dhe 2021-shit.
“Të ardhurat ndaj PBB-së, në 2013-n ishin 24% e tani janë 28%. Rritja ekonomike në vitin 2013 ishte 1% dhe në vitin 2021 ishte 8.3%. Norma e papunësisë në 2013-n ishte 16.4% sot është 11.4% dhe parashikohet reduktim i mëtejshëm”, tha ministrja. Ajo u shpreh se nuk ka rënie ekonomike në vend dhe as rritje të papunësisë. Ka rritje të inflacionit, por ai është më i ulëti në rajon dhe ka tendenca rënëse.
Në fund të fjalës së ministres, deputetja Tabaku rimori fjalën duke thënë se vetë Ibrahimaj është e para që ka manipuluar shifrat e INSTAT. Dhe se rritja ekonomike prej 8% ka ndodhur për shkak të shpërndarjes së parave për të dëmtuarit nga tërmeti.
“Duhet të kesh kurajo të thuash se rritja e barrës fiskale është rritja e mbledhje s të ardhurave si miradministrim”, tha Tabaku teksa përmendi edhe kundërshtimet e FMN-së për Bordet dhe Amnistinë Fiskale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



