Nga Gazeta ‘Si’- Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përpara nisjes së seancës plenare bëri të ditur se i është drejtuar me një shkresë zyrtare Komisionit Europian, duke i informuar për shkeljet që, sipas saj, përmban nisma për portet turistike.
Sipas Tabakut, ndryshimet në ligjin për portet turistike bien ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe prekin drejtpërdrejt disa kapituj kyç të legjislacionit europian, konkretisht kapitujt 5, 8 dhe 14. Ajo theksoi se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një praktike të përsëritur.
“Ligji për portet turistike është një tjetër ligj me porosi, një ndër dhjetëra të tillë që kanë kaluar në Kuvend, duke mbrojtur interesa të veçanta dhe jo interesin publik,” u shpreh Tabaku.
Deputetja e PD e cilësoi këtë projektligj si një tregues të qartë të një modeli qeverisjeje problematik, ku asetet publike dhe pronat shtetërore shpërndahen pa garë dhe pa transparencë. Sipas saj, ky model jo vetëm që cenon konkurrencën e ndershme, por kontribuon edhe në varfërimin e mëtejshëm të vendit.
Në thelb të kritikës së saj ishte edhe mënyra se si qeveria po e trajton procesin e integrimit europian. Tabaku theksoi se integrimi nuk mund të reduktohet në plotësim formal kriteresh në letër, por kërkon zbatim real të standardeve në praktikë.
Ajo kujtoi se qeveria shqiptare ka marrë angazhime për pezullimin e ligjit për investimet strategjike, në kuadër të detyrimeve të kapitullit 31 të negociatave me BE-në, ndërkohë që, sipas saj, po ndodh e kundërta: zgjerimi i privilegjeve për investitorë të caktuar.
“Në çdo prokurim publik, qoftë edhe për një stilolaps, kërkohet garë dhe procedurë. Ndërsa për pasuritë më të mëdha publike, ato jepen pa garë. Kjo është e papranueshme,” theksoi ajo.
Një tjetër element që ngriti shqetësim ishte edhe procedura e përshpejtuar e miratimit të ligjit, të cilin Tabaku e cilësoi si një nga aktet më të shpejta të miratuara ndonjëherë në Kuvend, duke shmangur debatet dhe konsultimet e nevojshme.
Në përfundim, Tabaku i bëri thirrje institucioneve europiane dhe vendeve anëtare që të rrisin vëmendjen ndaj zhvillimeve në Shqipëri, veçanërisht në këtë fazë të hapjes së negociatave.
“Sot është momenti që të ketë më shumë vëmendje për çdo ligj që miratohet në Shqipëri, sepse këto nuk janë thjesht akte ligjore, por prekin drejtpërdrejt procesin e integrimit dhe shtetin e së drejtës,” përfundoi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje