Nga Gazeta ‘SI’ – Investitorët e huaj që do të zgjedhin të investojnë në Shqipëri, do të kalojnë në një sitë paraprakisht.
Deputetja Jorida Tabaku ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon krijimin e një kornize ligjore për të shqyrtuar investimet e huaja direkte që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare, si p.sh aksesi në informacione sensitive, teknologjinë kritike, struktura energjetike, transport etj.
Sipas draftit, pas marrjes së aplikimit të investitorit nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), do të njoftohet Komiteti i lnvestimeve Strategjike për të kryer një analizë të këtij investimi. Komiteti i lnvestimeve Strategjike duhet të marrë gjithashtu mendimin e Kuvendit për dhënien ose jo të autorizimit.
Përgjegjës për zbatimin e këtij ligji do të jetë Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku pranë tij do të ngrihet një nënkomision i posaçëm parlamentar, i cili do të ndihmojë në procedurën e shqyrtimit. Vetëm pas marrjes së mendimit të Kuvendit, Komiteti i Investimeve Strategjike do të japë ose jo autorizimin për realizimin e investimit.
Kështu, Kuvendi i Shqipërisë do të ketë kompetencën për të shqyrtuar, hetuar, autorizuar ose bllokuar investimet e huaja që mund të ndikojnë në sigurinë dhe rendin publik të vendit.
Deputetja Tabaku ka qenë e zëshme për shqetësimet e saj mbi investimet e huaja në Shqipëri, duke e lidhur më raste të përdorimit të tyre nga kontigjentë shqiptarë të krimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.