Menaxhim

Tabaku çon në Kuvend projektligjin për mikrokreditë: Analizë të thelluar për konsumatorët. Stop reklamave!

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka depozituar në Kuvend një projektligj që synon të rrisë mbrojtjen për kredimarrësit.

Në dokumentin e dërguar Kuvendit, propozohet një analizë e detajuar e aftësisë paguese të konsumatorit dhe vlerësimi i rreziqeve të të ardhurave para se të miratohet kredia. Aty propozohet se institucionet mund të përdorin dhe burime të tjera të besueshme për të kryer vlerësimin financiar të konsumatorëve.

Tabaku sugjeron të vendoset me detyrim një tabelë informuese për tabelën e kostove dhe detyrimeve të pagesës, për modifikimin e marrëveshjes së kredisë si dhe të drejtat dhe detyrimet në rastin e shlyerjes së kredisë konsumatore para afatit të maturimit.

Drafti ndalon çdo lloj forme marketingu e kredisë konsumatore, që inkurajon konsumatorët të aplikojnë, duke sugjeruar se kredia do të përmirësonte gjendjen financiare të tyre.

Ligji parashikohet të zbatohet nga të gjithë ofruesit e kredie, përfshirë bankat, shoqëritë e huasë dhe çdo institucion financiar që ofron kredi për individë për qëllime personale, si dhe për çdo formë tjetër të kredisë konsumatore. Ndërkohë që, në rast të shkeljeve parashikohen gjoba deri në 300 mijë lekë për institucionet kredituese.

Propozimi i deputetes së PD-së vjen disa muaj pas skemës së mashtrimit me mikrokredi. Skandali nxorri zbuluar institucionet financiare që miratonin kredi në seri, pa kryer vlerësime financiare të kredimarrësve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë