Nga Gazeta ‘SI’ – Komisioni për Ekonominë ka nisur me debate, ku deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku paralajmëroi se buxhetin do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, sepse i mungon paketa fiskale.
“Qeveria shqiptare nuk i ka miratuar ligjet fiskale dhe diskuton buxhetin. Deputetet nuk mund të jenë noterë. Parlamenti nuk mund të trajtohet si noter dhe të shpërfillet. Pa efektet fiskale nuk ka buxhet.
Kjo që po ndodh sot është antiligjore dhe antikushtetuese. Nëse kjo mbledhje e sotme nuk anulohet dhe nuk përsëritet unë ju njoftoj se në emër të PD ne do ta çojmë buxhetin e shtetit në gjykatë kushtetuese. Nuk mundet që qeveria të jetë arrogante sqaqe ta marrë punën e deputetëve të mirëqene. Nuk ka ndodhur që buxheti të diskutohet pa ligjet fiskale”, – tha Tabaku.
Qëndrimi i Tabakut, u mbështet dhe nga deputetët e tjerë të opozitës, Arbi Agalliu, Bujar Leskaj dhe Edmond Spaho, të cilë sugjeruan shtyrjen e dëgjesës për buxhetin deri nesër, kur do të prezantohet paketa fiskale.
Ndërkohë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj vazhdoi me prezantimin e buxhetit, duke rikujtuar se dy objektivat kryesore të buxhetit 2023 janë mbrojtja e shtresave vulnerabël dhe konsolidimin fiskal të të ardhurave.
Ajo tha se po rishikohet rritja e pagës së patatueshme nga 40 në 50 mijë lekë.
“Do të reduktojë të ardhurat në buxhet 1.2 mld lekë, por do rriten të ardhurat familjare me mbi 1 mld lekë për familjet shqiptare. 70 000 punëmarrës përfituese të këtij grupi pagash 40 000 – 50 000. Profesionet e lira do kontribuojnë në buxhetin me mbi 2 mld lekë në vit. Këto do jenë subjekte tatimi”, tha ministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.