Lajme

Ta shpifim me mënyrën si e trajtojmë vetëvrasjen

Nga Mike Monteiro/ Përktheu: Suadela Balliu

Jam dakord të vdes nesër. Por jo sot. Përsërite çdo ditë .

Ato që vijojnë janë mendime personale mbi depresionin dhe vetëvrasjen. Nuk jam mjek, as psikiatër apo profesionist i shëndetit mendor. Jam një njeri që jetoj me depresionin dhe luftoj për të mbetur  gjallë çdo ditë. Mendimet e mia mbi depresionin janë vetjake dhe mua më ndihmojnë. Mbase mund t’ju ndihmojnë edhe ju për të parë sesi njeriu përballet me të. Por ju lutem, mbani mend se çdo mendje e thyer është e thyer në mënyrën e vet.

Kemi humbur  Anthony Bourdain-in para pak kohësh. Nuk e kam takuar kurrë   Anthony Bourdain-in. E kam parë shumë herë në televizor. Dhe ishte i rëndësishëm për mua.  Ishte i rëndësishëm për mua, sepse ishte humanist. Dikush që e kishte kaluar kohën duke u përpjekur të na tregonte se jo vetëm njerëzit në këtë planet janë aq shumë të ngjashëm, por pjesë tonat që janë të ndryshme janë gjithaq të mrekullueshme.

Anthony Bourdain ishte i rëndësishëm për shumë nga ne. Sepse ne kemi nevojë për humanistë në këto kohë. Kemi nevojë për njerëz që të na tregojnë pjesët më të mira të vetes. Anthony Bourdain ishte veçanërisht i rëndësishëm për mua,  sepse ishte një humanist që kishte pranuar të metat e tij. “Ecni me këpucët e dikujt tjetër, ose të paktën hani ushqimin e tyre” ka thënë  Anthony Bourdain.

Kemi humbur një nga humanistët e fundit dhe do të më mungojë. Por duke qenë se nuk kisha ide se çfarë sillej në kokën e tij, do të resht së foluri tani rreth tij. Nuk dua të hamendësoj për atë çka kalonte në mendjen e tij. Do ia lë këtë atyre që e njihnin personalisht dhe e donin.  Ne kemi humbur një njeri të njohur. Ata humbën familjarin.

Ylli i televizionit, Anthony Bourdain e humbi betejën me depresionin më 8 qershor të këtij viti.

Ajo çka desha të flas është  rreth mënyrës sesi përballemi me vetëvrasjen. Dhe do të bëhet personale, sepse është e vetmja mënyrë me të cilën mund të flas me një farë autoriteti. Ka të bëjë me kohën që zgjodha për të mos vdekur. Kam pritur dy vjet për të shkruar këtë tregim.

Nëse vetëvrasja është mëkat, Zoti është trap

Kur isha fëmijë, më ish thënë se vetëvrasja është mëkat. Më ishte thënë prej burrash, mendja e thyer e të cilëve u kish thënë se ishte e pranueshme të ngacmoje djem të vegjël,  të cilët sapo i kishin ndihur atyre për të mbajtur meshën. E nëse  do të isha ende katolik, mund të isha ende dakord ta mendoja vetëvrasjen si mëkat, edhe pse një mëkat i bërësit.

Do të vija në diskutim një Zot që ka bërë produkte defektoze dhe më pas fajëson përdoruesin kur produkti prishet. Ky është mëkat. Më besoni, nuk është e lehtë të rritesh duke dëgjuar se Zoti të do, të ka dhënë tru të prishur, dhe nëse nuk mund të përballesh është faji yt dhe ti shkon në ferr. E ta dëgjosh këtë nga një figurë me autoritet, fryma  e të cilit kutërbon prej fëmijërive të vjedhura të shokëve të tu të klasës,  është veçanërisht e dhjerë. 

Nëse jeni në rregull me Zotin,  jini të sigurt se nuk kam qëllim t’ju  bëj të mos ndiheni  rehat me të. Merreni mbështetjen aty ku e gjeni. Problemi im është me fetë që ju fajësojnë për artizanatin e dhjerë të hyjnisë suaj të zgjedhur. Duhet të besoj se nëse Zoti do të qe i vërtetë, ai nuk do të ishte aq trap dhe shpesh pyes veten pse fetë ndjejnë nevojën të lyejnë objektet e devocionit të tyre si prindër të këqij. Ndaj, jo, vetëvrasja nuk është mëkat. Por  të fajësosh njerëzit se kanë humbur betejën me sëmundjet mendore mund të jetë. Kur dëgjoni se njerëzit “përleshen me depresionin” dua të dini se përleshja është fjala më e vërtetë në atë fjali.

Vetëvrasja nuk është egoiste

Si i rritur më është dashur të përballem me vetëvrasjen e më shumë se të një anëtari të familjes. Historitë e tyre janë të tyre dhe qëllimi i kësaj eseje nuk është t’i fajësoj, t’i bëj sensacion, të përpiqem të nxjerr kuptim prej tyre apo të rihap plagët e atyre që ende përballen me humbjen. Por pas thuajse secilës prej atyre vetëvrasjeve, dhe pas çdo vetëvrasjeje që bën lajm dhe diskutohet në mediet sociale, dikush do të nxjerrë një version të “çfarë gjesti egoist!”  apo “pse nuk menduan për familjet?” apo “kishin gjithçka që dëshiron njeriu”.  Dhe ndërkohë që nuk jam një prej atyre tregohet i ashpër me mënyrën  sesi njerëzit mbajnë zi, le të kemi diçka të qartë:

Vetëvrasja nuk është diçka që ua bën të tjerëve.

Vetëvrasja nuk është as diçka që ia bën vetes.

Vetëvrasja është diçka që mendja jote e thyer të bën ty.

Kam luftuar depresionin gjatë gjithë jetës sime. Truri im është i thyer. Më gënjen. Është një organ armiqësor  në trupin tim. Nuk mund të jetoj pa trurin, por është edhe shumë e vështirë të jetoj me të. Më bën të besoj gjëra që nuk janë në fakt të vërteta.  Gërmon nëpër psiken time, nëpër të  cilën ka lejehyrje të plotë dhe nxjerr jashtë frikërat e mia më të thella dhe m’i tregon çdo mëngjes. Dhe deri tani, deri tani...Kam qenë në gjendje të fitoj atë betejë të përditshme. Disa ditë dal më i përgjakur se ditë të tjera. Por ka pasur disa ditë ku kam qenë me fat që ia kam dalë në ditën tjetër. Me fat.

Kur dëgjoni se  njerëzit “përleshen me depresionin” do të doja ta dini se beteja është fjala më e vërtetë  në atë fjali. Çdo ditë mund të jetë një dyluftim. Dhe çdo mëngjes ajo betejë nis sërish. Dikush , të cilit  i duhet të zgjohet dhe të luftojë  365 ditë të vitit nuk është egoist, është i  rraskapitur.

Dhe gjithë ç’duhet është një rrëshqitje. Disa herë truri të thotë një gënjeshtër të bukur. Ndonjëherë, siç po ndodh tani, ajo çka ndodh në botën jashtë përbën atë çka ndodh brenda kokës tënde Ndonjëherë truri përdor atë informacion për përfitimin e vet që të ndalësh së pari lajmet në mënyrë që  truri të mos ketë material për të ta përdorur kundër. Ndonjëherë truri dhe kjo është vërtet e menderosur, të bind se po ndihesh mirë dhe mbase të duhet të ndalësh së marri mjekimin.Vetëvrasja nuk është të dorëzohesh,  nuk është në veprim egoist. Është  humbja e një beteje të gjatë e të shpifur me mendjen tënde. Por ju lutem, kini respekt për atë njeri që luftoi çdo ditë. Çdo ditë.

Shëndeti mendor  është e drejtë e njeriut

Para dhjetë vitesh hyra  në terapi. Për pesë nga ata dhjetë vjet shkova çdo javë dhe kur  dola jashtë rrezikut e bëmë çdo dy javë. Rreth dy vjet më parë terapeuti im u shpërngul në një tjetër qytet. Bëmë të dy një ujdi se nëse do të kisha ndonjë problem do e telefonoja. Disa muaj më parë e telefonova. Ndjeva shenjat lajmëruese të depresionit që po vinte. Është një aftësi, të cilën nuk do e kisha pa terapi.

Ja çështja me terapinë:  Nuk më kuroi. Nuk e ndreqi trurin tim. Dhe nuk e bëri trurin të ndalte së më gënjyeri. Por ngadalë, me kohën dhe me pak mjekim, më dha mjetet për të larguar gënjeshtrat. Dhe më dha instrumentet për të parë se kur po bëhej gati një sulm. Të gjithë duhet të kemi mundësi përdorimi të atyre mjeteve dhe njerëzve që ndihmojnë në ndërtimin e tyre.

Jam një trap i privilegjuar që ka akses në terapi dhe kimi. Shumë njerëz nuk kanë. Depresioni prek njerëzi pavarësisht sesa para mund të bëjnë. Nuk mund të blesh rrugën tënde drejt lumturisë, por mund të blesh rrugën tënde drejt kujdesit. Ecni nëpër qytetet e mëdha të Amerikës dhe do të shihni qindra njerëz që luftojnë me probleme të shëndetit mendor, të cilët nuk kanë akses në kujdesin dhe shërbimet që u nevojiten. (Nuk kemi problemin e të pastrehëve. Kemi problemin e dhembshurisë.)

Gjithashtu isha me fat, ose i mençur, apo ku di unë, mjaftueshëm për të dalë nga stigma me të cilën u rrita se depresioni ishte mëkat apo dobësi. Nuk mund të zgjedhësh të dalësh në mënyrë magjike nga depresioni, po aq sa nuk mund që në mënyrë magjike të mjekosh një krah të thyer.

Të dyja kanë nevojë për kujdes profesional. Isha 40 vjeç përpara se të lija takim te terapeuti. Për shkak se u rrita  në turp. U rrita duke m’u thënë se sëmundja ime mendore ishte një e metë e karakterit. Një dobësi. “Burrërohu!” m’u tha, sepse le të shkojmë më tutje e të shtojmë ca dokrra maskilizmi çorbës.

Ylli i NBA, Kevin Love

Marsin e shkuar, lojtari i NBA-it, Kevin Love publikoi një pjesë të sëmundjes së tij mendore dhe më pëlqeu që e bëri dhe është me rëndësi që e bëri për shkak se ndihmon në dhënien fund të dokrrave të maçoizmit. Mëson se ç’duhet  për të qenë “një burrë”. Është si një libër loje: Ji i fortë. Mos fol rreth ndjenjave. Dil vetë nga kjo’, ka thënë Kevin Love. Përballja  me shëndetin mendor është shenjë  force. Mos lini askënd t’ju  thotë të kundërtën. Ai është i ri, i pashëm, atlet dhe i sëmurë mendërisht. Ndaj, kemi diçka të përbashkët.

Askush nuk kryen vetëvrasje

Njerëzit që njoh të cilët kanë zgjedhur t’i japin fund jetëve nuk kanë kryer vetëvrasje. Ata kanë humbur një betejë me mendjet e thyera dhe armiqësore. Kryerja i do të thotë zgjedhje. Ti angazhohesh ndaj një diete të shëndetshme, angazhohesh të ngasësh më shpesh biçikletën. Dhe padyshim,  mundesh, nëse zgjedh, të kryesh vrasje. Por mundemi të biem të gjithë dakord se është e çuditshme ta shohësh viktimën e një vrasjeje dhe të thuash se ata kryen vdekje.

Depresion do të thotë se truri yt i shprishur  po të vret. Personi, jeta e të cilit ka mbaruar, është po aq përgjegjës për atë vrasje sa çdo viktimë tjetër vrasjeje. Ata nuk kanë kryer hiçgjë. Ata janë vrarë. Nomenklatura e parapëlqyer aktualisht mes profesionistë të shëndetit mendor është përdorimi i vetëvrasjes si një folje,  si në rastin e “Bobi u vetëvra” në vend të “Bobi kreu vetëvrasje”.Shoqëria, si e tërë do të vazhdojë të  thotë të fundit edhe për ca kohë. Ndryshimet duan kohë. Sado me kuptim të mirë të jetë ai ndryshim, nuk mendoj se do të shkojë mjaft larg.  “Bobi u vetëvra”, prapë ka kuptimin se Bobi mori një vendim, kur në të vërtetë Bobi ishte viktima e një shumësie gjerash: një mendje e shkatërruar, sistemet e besimit që përjetësojnë fajin te viktima, një shoqëri që stigmatizon sëmundjet mendore, dhe një sistem i kujdesit mjekësor që nuk u jep njerëzve aksesin ndaj trajtimeve të nevojshme  për të luftuar sëmundjen me të cilën kanë lindur. Në të vërtetë ne ua heqim vendimin njerëzve.

Askush nuk kryen vetëvrasje. Por ne, si shoqëri, jemi bashkëfajtorë duke  mos i lënë njerëzit të marrin ndihmën për të cilën kanë nevojë. Duhet të jemi më të mirë. Siç Mister Rogers na ka mësuar. “Kërkoni ndihmuesit!” Por disa nga këta njerëz janë duke kërkuar ndihmuesit dhe nuk po i gjejnë ata. Mbani mend, nuk e kam idenë se çfarë po flas dhe ajo që  më bën punë mua mund të mos ju bëjë punë. Nëse jeni në depresion dhe nuk keni ide si të ndihmoni veten, dijeni se ka qenie të mrekullueshme njerëzore, të cilët munden. Kërkoni ndihmë! Ju dua dhe jam po aq i thyer sa ju.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë