Libra

“Ta ndryshojmë politikën duke u përfshirë në të”

Filozofi amerikan, George Herbert Mead, thoshte se qytetërimet janë një bashkësi “mua-sh”, ndërsa kaosi e mungesa e zhvillimit vjen nga bashkësitë e “unë-ve”.
“Shoqëria e unë-ve është ende pa kaluar në fazën e qytetërimit modern, në këtë fazë është dhe shoqëria shqiptare”, thotë Grida Duma, në librin e saj më të ri “Koha për politikë”.
Teksa vendi ynë përballet me një sërë shqetësimesh, si arsimi, shëndetësia, ekonomia, turizmi etj, Grida Duma jep si alternativa zgjidhjeje tezat e saj liberale, të cilat i përcjell nëpër faqet e librit.
Kjo nuk është eksperienca e parë e politikanes në shkrimin e librave, pasi 6 vite më parë ajo është autorja e librit me ese “Perspektiva liberale, 12 ide përtej 2013”.
“Natyrshëm ky libër është një riardhje tek ato ide me qartësinë se si deformimi i aplikimit të çdo parimi nuk është defekt i parimit”, shkruan politikania Duma.
Duke qenë se shoqëria demokratike shqiptare ka ecur me zvarritje dhe ngecje po ashtu, Grida Duma vjen me një qasje libertariane, një alternativë kjo për t’u diskutuar dhe për të ngjallur debat në rrethin shoqëror shqiptar.
Libri vjen si një reflektim i zhvillimeve të fundit të shoqërisë sonë, duke rrokur një mori shqetësimesh e problematikash të natyrës politike, sociale dhe sociologjike, ekonomike e deri filozofike e doktrinore.
Duma thotë se sfida e shoqërive demokratike, duke përfshirë këtu dhe realitetin shqiptar përmblidhet pikërisht te rritja e nivelit të demokratizimit, pra te perfeksionimi i funksionimit të të gjitha institucioneve në bashkërendim me njëri-tjetrin.
Në optikën e saj e shpërfaqur në faqet e librit, demokratizimi është një proces që nuk mbaron kurrë sepse fillon nga ideali i lirisë, madje nga ideali i lirisë për të gjithë.
“Janë të pafundme trajtesat dhe hulumtimet mbi idealin e lirisë, kështu pyetjet; ç’është liria pa mundësi, ç’është liria në vetmi, ç’është liria me pak alternativa zgjedhjeje, e tjera e të tjera, na bëjnë të qartë sa e pafundme është rruga drejt këtij ideali”, shkruan Duma.
Duke trajtuar zhgënjimin nga politika në një kapitull më vete, ajo thekson se një terren zhgënjimi vë në pah autokracinë.
“Për të qenë didaktikë, liberalët pranojnë që ndërhyrja e keqe e shtetit dhe e sistemit është një dëm vdekjeprurës për avancimin e vendit. Një shtet i keq është më keq se një vend pa qeverisje”, shkruan Duma.

Libri "Koha për politikë"

Ndërsa vë në pah se në periudhën ‘90-‘92, shteti shqiptar pati ngjizjen e gjithçkaje që vazhdojmë ta kemi edhe sot, autorja paraqet edhe sugjerimet e saj për perspektivën liberale europianiste të Shqipërisë dhe rendit për këtë disa nga hapat më të domosdoshme.
“Na duhet një parlament dydhomësh, na duhet një demokraci e drejtpërdrejtë, gjithpërfshirëse, që kthen besimin. Referendumet. Dhe pa dyshim sistem i hapur i kandidimit të deputetëve”, thotë Duma.
Sipas saj blloqet e mëdha politike, janë gjithaq të çimentuara dhe shprehin gjendjen në të cilën ndodhet lidershipi i secilës prej këtyre koalicioneve të mëdha. “Kufizime të kësaj natyre e bëjnë të pamundur që të kemi pasqyrim të gjendjes së shoqërisë: duket sikur kjo e bën më të lehtë qeverisjen sepse thjeshton punë, por në fakt e bën më të vështirë dhe më të thellë diferencën midis atyre që qeverisin dhe atyre që presin të qeverisen, i zhduk nuancat shoqërore dhe krijon një monokolor dhe monosistem”, thotë ajo.
Ndarja e Parlamentit në dy dhoma do të kishte edhe një avantazh tjetër, thotë Duma, pasi do ta bënte procesin legjislativ më shumë procesual, dhe jo një akt.
Duke futur dhe eksperiencën e saj e duke ditur mirë se çfarë do të thotë të merresh me politikë, Duma thekson se sot politika duhet të jetë më shumë e hapur ndaj mendjeve të ndritura, të gjithëpërfshijë ide.
Nevoja për realizëm e vërtetësi është akute, nënvizon autorja, ndërsa shpalos vizionin e saj për një politikë të djathtë të pëlqyeshme, të asimilueshme, efikase.
Libri i saj, “Koha për politikë”, është edhe një thirrje në përgjithësi drejt shoqërisë, akademikëve, të rinjve dhe të rejave që sot duhet të përfshihen, pasi nuk ekziston një mënyrë tjetër për të ndryshuar politikën, përveçse përfshirja në të.
“Emri politikë do të thotë; të bësh, të zgjidhësh, të ndërtosh. Gjithçka tjetër që nuk bën, nuk zgjidh, nuk ndërton në fakt nuk është politikë”, thotë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë