Futboll

Superliga ndan botën e futbollit, Bosman: Vetëm biznes, askush s’do t’ia dijë për lojtarët

Gazeta Si – Seentenca e Trupës së Drejtësisë Europiane, që konstatoi abuzim nga UEFA dhe FIFA, duke i dhënë të drejtë Superligës, në një farë mënyrë ka ndarë botën e futbollit. Pjesa dërrmuese e klubeve të mëdha janë pozicionuar kundër Superligës, ndërsa UEFA dhe FIFA në reagimet e tyre kanë mbajtur qëndrim të prerë se asgjë nuk ndryshon.

Krijimi i mundshëm i Superligës gjithsesi mbetet çështja e ditës. Për këtë temë ka folur edhe një nga emrat më të famshëm të revolucionarizimit të futbollit, Zhan Mark Bosman. Emrin e tij mban edhe i famshi ‘ligji Bosman’, që në vitin 1995 shënoi një ndryshim historik për lëvizjen e futbollistëve. ‘Duhej të më kishin bërë një statujë’ – është shprehur Bosman.

Njeriu që me sentencën e atëhershme mbeti në histori, jeton pak kilometra larg Liezhit, në Belgjikë. Zhan Mark Bosman, 59 vjeç, e sheh me skepticizëm kthesën e fortë që erdhi nga sentenca e Trupës së Drejtësisë Europiane, që evidentoi monopolin e UEFA-s dhe FIFA-s dhe pranoi tezën e ‘A22 Sports Management’ që promovon Superligën.

Ky projekt, sipas ish-mesfushorit dhe kapitenit të Belgjikës U-21 në 1995-ën, – që me rekursin e fituar në Trupën e Drejtësisë lejoi qarkullimin e lirë të lojtarëve në nivel komunitar dhe krijoi mundësinë e trasferimeve me parametra zero në fund të kontratës, – është vetëm biznes.

“Superliga është vetëm një mënyrë tjeër për të bërë biznes, në kurriz të lojtarëve”, – ka thënë Bosman për ‘Gazzetta dello Sport’.

“Jam shumë skeptik për këtë projekt. Janë klubet e zakonshme të mëdha që duan të bëhen më të fuqishëm për të shtypur më të vegjlit. Dhe kjo rëndon te lojtarët, të cilët nuk janë robotë. Askush nuk do t’ia dijë për ta”, – ka theksuar belgu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë