Futboll

Superkupa e Gjermanisë merr emrin Beckenbauer

Superkupa e Gjermanisë do të mbajë emrin e Franz Beckenbauer prej sezonit 2025/26. Trofeu sezonal që luhet mes kampionëve në Bundesliga dhe fituesve të Kupës së Gjermanisë do të nderojë në këtë mënyrë kujtimin e Futbollistit më të Mirë të të gjitha kohërave në Gjermani, duke u quajtur “Franz Beckenbauer Supercup”.

Formati, logo dhe eventet që do të zhvillohen do të dakordësohen mes Federatës Gjermane dhe Ligës Gjermane të futbollit. E veja e Kaiser-it, Heidi Beckenbauer tha se – “Franz do ta kishte pëlqyer idenë edhe për faktin se ai i kishte fituar disa herë trofetë në futbollin gjerman”. Ajo falenderoi presidentin Bernd Neuendorf dhe Hans-Joachim Watzke-n që me inisiativën e tyre po vlerësojnë figurën e Franz Beckenbauer.

Për Presidentin e Federatës Gjermane, Bernd Neuendorf – “Eshtë e rëndësishme që kujtimi i Franz Beckenbauer të përjetësohet” Ai falenderon familjen e Beckenbauer dhe Ligën Gjermane që mundësuan emërtimin e Superkupës.

Ndërsa Hans-Joachim Watzke (Drejtues i Komitetit Ekzekutiv në Ligën Gjermane) deklaroi – “Franz Beckenbauer ishte djali i Bundesliga-s dhe janë të rrallë ata që e formësuan këtë kampionat. Dua të falenderoj kolegët në Federatë dhe familjen e Franz Beckenbauer për bashkëpunimin në muajt e fundit”.

Superkupa e Gjermanisë organizohet me formatin aktual prej vitit 2010 ndërsa në sezonin e ardhshëm “Franz Beckenbauer Supercup” do të luhet më 16 Gusht. Beckenbauer fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë si lojtar dhe trainer duke e përfaqësuar vendin e tij si askush tjetër. Gjithashtu ai ishte në krye të Komitetit Organizator për Kupën e Botës “Gjermani 2006”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë