Gazeta Si – Kampionati elitar shqiptar i futbollit nuk është më i papërfillshëm në tregun e lojtarëve. Prej tij ka pasur vitet e fundit lëvizje të konsiderueshme lojtarësh për në kampionate të huaja. Edhe në këtë sesion të merkatos dimërore vërtetohet fakti se Superiorja shet.
Sulmuesit, si kudo në botë, janë malli më i kërkuar. Kampionati ynë, të paktën deri tani, ka humbur dy prej tyre. Tirana ka shitur Florent Hasanin, kurse Egnatia ka shitur Vusal Isgandarli. I pari ka kaluar në Rumani, te Rapid Bukureshit, ndërsa i dyti te Boluspori në Turqi.

Nga burime jozyrtare është bërë me dije se Tirana ka përfituar rreth 300 mijë euro nga transferimi i Florent Hasanit. Vërtet klubi kryeqytetas ka humbur në cilësi, sepse nuk ka më një nga lojtarët më të mirë, por ka arkëtuar një shumë të konsiderueshme. Siç ka bërë më parë me Ernest Muçin, Jurgen Çelhakën, Taulant Seferin dhe të tjerë.
Edhe Egnatia ka fituar financiarisht nga shitja e sulmuesit azer. Klubi turk i Bolusporit mësohet se ka paguar 150 mijë euro për shërbimet e Isgandarli. Më parë rrogozhinasit kanë shitur edhe sulmuesin Redi Kasa në Slloveni.

Merkatoja është e hapur edhe për lojtarë të klubeve të tjera të Superiores ka oferta konkrete. Arinaldo Rrapaj i Partizanit, ‘Topi i Artë’ i Superiores për vitin që lamë pas, është ndër më të kërkuarit dhe transferimi i tij në një kampionat të huaj duket vetëm çështje kohe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




