Janë ndeshjet më të rëndësishme në futboll, e para në futbollin amerikan (NFL) dhe e dyta në atë që luhet në pjesën tjetër të Botës dhe prej vitit 1994 me një ekspansion edhe në Shtetet e Bashkuara ku njihet si “soccer”. Dy industri masive që prodhojnë financa të jashtëzakonshme dhe ndër objektivat e tyre është edhe tërheqja e shikuesve në stadiume dhe teleshikuesve në transmetimet televizive. 12 ditë pas Superbowl 2025 që u zhvillua në “Caesars Superdome” të New Orleans, kanë dalë shifrat e ndjekësve në transmetimin televiziv të fitores së Philadelphia Eagles 40-22 ndaj Kansas City Chiefs.

Në vazhdim do të krahasojmë audiencën e dy edicioneve të fundit të Superbowl me 4 finalet e fundit në Kupën e Botës. Sipas burimeve nga FIFA, Finalja më e ndjekur në Kupën e Botës është ajo e “Qatar 2022” ku Argjentina fitoi titullin e 3 dhe Leo Messi të parin botëror. 571 milionë shikues e ndoqën atë nëpërmjet televizionit. Duke lënë pas atë të “Brazil 2014” (562 milionë teleshikues) ku luajti sërish Argjentina por u mund nga Gjermania që fitoi titullin e 4 botëror. Spanjë-Holandë në botërorin e vitit 2010 u ndoq nga 531 milionë teleshikues ndërsa kuartetin e plotëson suksesi rus i Francës që fitoi ndaj suprizës Kroaci në “Rusi 2018” nën sytë e 517 milionë teleshikuesve.

Shifra që duken të vështira për tu arritur nga finalet e futbollit amerikan. Sipas burimeve të NFL dhe Forbes të cilave iu është referuar “Transfermarkt”, numrin më të madh të teleshikuesve e arriti Superbowl 2024 që u zhvillua në “Allegiant Stadium” në Paradise, Nevada. Kansas City Chiefs fitoi të dytin Superbowl, 25-22 ndaj San Francisco 49ers e ndjekur nga 124 milionë teleshikues. Chiefs u kthye sërish në të njëjtën Finale dhe ishin pranë suksesit të 3 rradhazi, dicka që nuk e kishte bërë askush më parë. Dhe Philadelphia Eagles mendoi që kjo të mos ndodhte sërish duke e dominuar mbrëmjen në New Orleans e ndjekur nga sytë e 120 milionë teleshikuesve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




