Gazeta Si – Superkupa e Spanjës shkon për Real Madrid, që në Rijad dominoi ‘El Clasico’-n kundër Barcelonës. Përfundoi 4-1 kjo ndeshje, me një super Vinicius, autor i një triplete në 39 minuta. Braziliani gjeti avantazhin pas 7 minutash, dyfishoi në minutën e 10-të dhe trefishoi me penallti në të 39-ën.
Vlejti vetëm për statistika goli i Levandovskit, që rihapi ndeshjen vetëm për një moment. Në pjesën e dytë Rodrigo rrumbullakosi rezultatin në 4-1. Për Realin është trofeu i 13-të i Superkupës.

Me fitoren e sotme Reali u dërgon një mesazh të qartë edhe rivalëve në’Europë. Ishte një ‘El Clasico’ i dominuar nga skuadra e Karlo Ançelotit, ndërsa Barcelona është e ndërgjegjshme se në çdo kompeticion duhet t’i bëjë llogaritë me Realin. Katalanasit luajtën me 10 vetë në fund, pasi Araujo u ndëshkua me dy kartonë të verdhë.
Pas golit të 4-t ndeshja ishte praktikisht e mbyllur dhe trajneri Ançeloti bëri ndërrimet që kishte në dispozicion. Për trajnerin italian është trofeu i 27-të në karrierë. Barcelona, përveçse humbi trofeun, është turpëruar edhe nga rezultati i thellë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




