Katar 2022

Super Mbape dhe Zhiru nënshtrojnë Poloninë, Franca në çerekfinale

Gazeta Si – Franca kalon në çerekfinale të Katar 2022, duke iu bashkuar Holandës dhe Argjentinës. Kampionët e botës mundën 3-1 Poloninë, nën shenjën e dy sulmuesve Olivier Zhiru dhe Kilian Mbape. Goli në shtesë i Levandovskit me penallti vlen vetëm për statistika.

Olivier Zhiru gjithmonë e më shumë në historinë e Francës. Me golin e realizuar ndaj Polonisë, sulmuesi i Milanit është tashmë shënuesi më i mirë në historinë e Francës. Ai ka kapur shifrën e 52 golave, një më shumë se Tierri Henri, të cilin e barazoi vetëm pak ditë më parë.

Zhiru zhbllokoi rezultatin në fundin e pjesës së parë me një diagonale të saktë brenda zonës, pas një pasimi të Mbape. Ky i fundit më parë kishte vënë në provë Sheznin, ndërsa Polonia iu afrua golit me Levandovskin dhe Zielinskin. Varane në një rast shpëtoi portën, duke largua topi thuajse mbi vijën fatale.

Në pjesën e dytë Polonia tentoi të bënte diçka për të barazuar, por u ndëshkua në një nga kundërsulmet vrastare të ‘gjelave’, të finalizuar nga Mbape. Gjuajtje e fuqishme me të djathtën dhe topi në rrjetë. Polakët kanë kapitulluar në këtë moment dhe francezët kanë realizuar edhe golin e 3-të në shtesë. Përsëri Mbape, dopietë edhe në këtë ndeshje.

Në minutën e 8-të shtesë Polonia fitoi një penallti, që Levandovski e humbi në gjuajtjen e parë, por arbitri vendosi që të përsëritej dhe sulmuesi i Barcelonës më pas shënoi. Polakët kthehen në shtëpi, kurse vëmendja e francezëve kalon te çerekfinalja, ku me shumë gjasa do ndeshen me Anglinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë