Nga Gazeta Si- “E pakrahasueshme! Shqipëria, një nga sekretet më të ruajtura të Evropës, është shndërruar në një nga destinacionet më të nxehta të pushimeve verore”, shkruan Rosa Campos në të përditshmen spanjolle “Super Deporte”., duke shtuar se vera është simbol i pushimeve, diellit, plazheve dhe aventurave të paharrueshme.
“Çdo vit, turistët kërkojnë destinacione të reja dhe emocionuese për të eksploruar, dhe Shqipëria kohët e fundit është pozicionuar si një nga vendet kryesore turistike dhe të përballueshme për t’u vizituar”.
SD shkruan se Shqipëria ofron një ndërthurje të historisë, kulturës dhe peizazheve mahnitëse, ku bregdeti, i përshkuar nga detet Adriatik dhe Jon, krenohet me plazhe që rivalizojnë ato të Greqisë dhe Italisë, por pa turma vizitorësh dhe çmime të larta.
Historia dhe kultura
Në Artikull shkruhet se Shqipëria ka një histori të pasur që daton mijëra vjet më parë, me ndikime nga qytetërimet ilire, greke, romake dhe osmane, me qytete si Butrinti, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që u ofrojnë vizitorëve mundësinë të zbulojnë të kaluarën e lashtë të vendit.
Natyra dhe aventurat
“Për adhuruesit e natyrës, Shqipëria është një parajsë e vërtetë. Nga malet e Alpeve Shqiptare deri te Liqeni piktoresk i Ohrit, vendi ofron një shumëllojshmëri peizazhesh mahnitëse dhe mundësi për aventura në natyrë”, shkruhet në artikull, ku përmenden ecja në natyrë, çiklizmi, rafting dhe kajaku si disa nga aktivitetet që mund të shijojnë turistët.
Ndërkohë, në artikull përmendet edhe ushqimi, me “pjatat tradicionale si byreku (një lloj brumi i mbushur me djathë, spinaq ose mish) dhe tavë kosi (qengj me kos dhe oriz) janë një domosdoshmëri”.
Ndër destinacionet kryesore turistike në Shqipëri përmenden Tirana, Berati, Saranda, Gjirokastra, Elbasani.
Mikpritja shqiptare
Një nga aspektet më të paharrueshme të vizitës në Shqipëri është mikpritja e popullit të saj, sipas medias spanjolle që shkruan se shqiptarët janë të njohur për mirësjelljen dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar vizitorët.
“Është e zakonshme që turistët të ftohen në shtëpitë lokale për të ndarë një vakt ose kafe, duke ofruar një mundësi unike për të përjetuar kulturën shqiptare nga afër”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



