Lajme

Sulmohet makina e Fatos Lubonjës, Basha: Sulm i nxitur nga Edi Rama

Makina e analistit Fatos Lubonja është sulmuar me gurë. Policia thotë se sulmi ka ndodhur disa ditë më parë dhe se autori i sulmit ka qenë një person me probleme të shëndetit mendor dhe se sulmi në fjalë nuk ka lidhje me aktivitetin e Lubonjës si analist.

Burime nga policia e shtetit pohojnë për Gazetën Si se autori ka goditur makinën e analistit me gurë pasi një zënke familjare dhe besohet se sulmi nuk ka qenë posaçërisht i lidhur me aktivitetin e Lubonjës.

Megjithatë, nga opozita, Lulzim Basha e cilëson sulmin si pasojë e frymës së dhunës psikologjike të nxitur nga Edi Rama ndaj zërave kritikë.

“Dënoj me ashpërsi dhunën e drejtuar kundër intelektualit publik Fatos Lubonja. Kjo dhunë fizike vjen në klimën e dhunës psikologjike, gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve të Edi Ramës kundër zërave kritikë dhe medias jashtë kontrollit të tij. Është detyra jonë të mbrojmë dhe mbështesim zërat e lirë si Fatos Lubonja ndaj ju ftoj të gjithë të solidarizohemi me të dhe çdo media dhe zë kritik”, shkruan Basha në Facebook.

Për lajmin në fjalë reagoi edhe Presidenti Meta. Gazeta Si sjell postimin e tij në rrjetet sociale, ku nuk kursen ironinë, duke përzgjedhur termat e përdorur në përgjimet e publikuara nga Bild në rastin e dosjes 184 për zgjedhjet e Dibrës.

“Thonë që sot çunat problematikë kanë dalë nga furgoni për të “përshëndetur” makinën e një analisti kritik ndaj Bablokut. Qoftë fake neës për të dielë, për të mirën e Kryeproblematikut!”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë