Ana e errët

Sulmohet e reja, spitali njofton policinë. Vajza po kthehej në banesë, i rrëmbyen varësen me maskë anticovid…

Një 24-vjeçare u sulmua dhe përfundoi në spital, pasi dy grabitës i rrëmbyen asaj varësen. Kanë qenë mjekët e Spitalit të Traumës që njoftuan policinë, pasi 24-vjeçarja me inicialet E. S. u dërgua për trajtim mjekësor për shkak të hematomave. E reja pas mbërritjes së policisë ka treguar se ishte sulmuar nga dy persona ende të paidentifikuar dhe se ajo kishte rënë pre e hajdutëve.

“Dy persona më tërhoqën varësen nga qafa dhe më dëmtuan, por nuk e mbaj mend vendin e saktë. Ndodhi tek rruga e Komunës së Parisit”, u shpreh e reja. Më tej vajza ka shpjeguar itinerarin që ndoqi gjatë orëve të mbasdites “dola nga shtëpia në mbrëmje, do takoja dy shoqet e mia për kafe që gjendeshin me dy shokë, njëri quhej Geri dhe tjetri Silvio. Ne jemi moshatarë me njëri-tjetrin. U takuam, më pas qëndruam tek shkallët e pallatit, qëndruam më pak se 30 minuta duke bërë muhabet dhe më pas u largova”, denoncon 24-vjeçarja.

Policia raporton për gazetën Si se ngjarja ka dyshime të ketë ndodhur mes rrugës Haxhi Kika dhe Viktor Eftimiu. “Kisha vetëm pesë minuta që isha ndarë  nga shoqëria, isha vetëm në rrugicë kur dy djem, njëri i veshur me bluzë leshi dhe tjetri me kapuç me ngjyrë të zezë m’u afruan. Të dy kishin maska anticovid”.

Vajza i thotë policisë se fillimisht ajo u sulmua verbalisht prej tyre. “Po më thoshin sa e mirë je, vazhdova të eci, njëri prej tyre e kishte zërin e mbytur. Ndjeva që u afruan pas meje dhe më tërhoqi nga varësja. Ishte floriri me germën E. dhe e kisha kujtim nga babai”, detajon e reja.

Por teksa 24-vjeçarja kujton se u përplas në tokë, grabitësit sipas saj nuk u ndalën. “Tjetri u afrua më kapi për flokësh, më kapi nga qafa dhe më tërhoqi zvarrë. Po ti shoh përballë i kujtoj. U rrëzova barkas dhe me fytyrë në tokë. Këtë e mbaj mend mirë”.

Sipas policisë 24-vjeçarja, kur është përmendur ka njoftuar një shokun e saj duke i kërkuar ndihmë. Dhe pikërisht shtetasi me inicialet L. O. ka shpejtuar që ta dërgojë në spital.

Pas marrjes së kallëzimit, policia thotë për gazetën Si se ka këqyrur të gjitha kamerat e sigurisë në zonë. “Ne llogaritëm kohën kur e reja mbërriti në spital dhe gjithë kohën sa i është nevojitur për t’u transportuar nga aksi u sulmua”, pohon agjenti i Krimeve për gazetën Si dhe bazuar mbi këto indicie pamë të gjithë personat që qarkullonin rreth këtij harku kohor”.

Një nga shtetasit e dyshuar që paraqitet në këtë rrugë sipas policisë është shtetasi K. C., i moshës 23 vjeç. Por i pyetur nga policia ai këmbëngul se nuk ka lidhje me agresionin.

“Isha në kishë së bashku me dy shokët e mi, u ndava me ta në rrugën ‘Medar Shtylla’, ndërsa vijova rrugën me vetëm njërin prej tyre. Mund të kem kaluar edhe në rrugën Viktor Eftimiu, por kjo është rastësi, pasi kjo është rruga që më çon në shtëpi”, deklaron i dyshuari që është pyetur nga policia së bashku me disa kalimtarë të tjerë që si ai e kanë frekuentuar këtë aks për t’u kthyer në shtëpi sa më shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë