Bota

Sulmi terrorist në Gjermani, i dyshuari saudit përballet me 5 akuza për vrasje

Gazeta Si - Autoritetet gjermane kanë ngritur aktakuzë për vrasje dhe tentim vrasje ndaj të dyshuarit për sulmin vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjes në qytetin Magdeburg, ku u vranë pesë njerëz dhe u plagosën 200 të tjerë, njoftoi policia gjermane mëngjesin e së dielës.

I dyshuari – i identifikuar si Taleb A në përputhje me ligjin për privatësi në Gjermani – ngarkohet me pesë akuza për vrasje, disa akuza për tentim vrasje dhe disa akuza për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, tha policia.

Ai u paraqit para gjykatësit të shtunën në mbrëmje, i cili urdhëroi që ai të dërgohet në paraburgim në pritje të gjyqit.

Sipas autoriteteve, i dyshuari i përdori korsitë e lira të emergjencës për ta ngarë veturën me shpejtësi të lartë nëpër tregun e Krishtlindjes të premten, ku i shkeli njerëzit që ishin mbledhur për të festuar.

Katër gra të moshës 45, 52, 67 dhe 75-vjeçare, si dhe një djalë nëntëvjeçar, u vranë në sulm. Sulmi shkaktoi tronditje dhe dhimbje jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë botën.

Hetuesit thonë se i dyshuari veproi i vetëm, pasi tani për tani nuk ka asnjë tregues se ka pasur ndonjë të përfshirë tjetër, sipas gjetjeve të tyre.

Taleb A është mjek 50-vjeçar nga Arabia Saudite, i njohur si aktivist kritik ndaj Islamit.

Ai ka bërë akuza të çuditshme në rrjetet sociale dhe në intervista, duke pretenduar se autoritetet gjermane nuk po bëjnë mjaftueshëm për të luftuar islamizmin.

Dikur mbrojtës i grave saudite që largoheshin nga vendi i tyre, më vonë ai këshillonte njerëzit të mos kërkonin azil në Gjermani, duke shkruar në faqen e tij të internetit në anglisht dhe arabisht: "Këshilla ime: mos kërkoni azil në Gjermani".

Kryeprokurori publik në Magdeburg, Horst Ëalter Nopens, tha se motivi mund të kishte të bënte me pakënaqësitë e tij për mënyrën se si trajtohen refugjatët nga Arabia Saudite në Gjermani.

Magdeburg është qytet me rreth 237.000 banorë në landin e Saksoni-Anhalut, rreth 150 kilometra në perëndim të Berlinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë