Të paktën shtatë anije me naftë kanë ndryshuar rrugën ose kanë ndaluar në det, ndërsa SHBA ka nisur sulmet ushtarake ndaj Venezuelës. Në total janë 11 anije me naftë që mbeten të bllokuara, për shkak të sulmeve dhe tensioneve.
Anijet që po shmangin ujërat e Karaibeve mund të transportojnë së bashku 12.4 milion fuçi naftë të papërpunuar. Katër prej tyre kanë ndryshuar kursin, ndërsa tre të tjera kanë mbetur të ndaluara në det. Ndërsa anijet shmangin Venezuelën, rezervuarët e saj të magazinimit po mbushen plot me naftë, duke detyruar kompaninë shtetërore Petróleos de Venezuela SA të mbyllë disa puse nafte. Prodhimi në bassenin kryesor të Orinokos, ku prodhohet pjesa më e madhe e naftës së vendit, ka rënë 25% më 29 dhjetor krahasuar me nivelet e mesit të dhjetorit.
Çdo ndërprerje në eksportin e naftës rëndon më tej ekonominë e vendit, e cila tashmë është e dobësuar nga shtatë vjet sanksionesh amerikane mbi naftën. Ky produkt është thelbësor për ekonominë venezueliane, duke financuar gjithçka, nga ushqimi te medikamentet.
Ndërkohë, kompania amerikane Chevron Corp vazhdon të nxjerrë naftë venezueliane si pjesë e një licence të dhënë nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së.
Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar Venezuelën se përdor të ardhurat nga nafta për të financuar një sërë aktivitetesh kriminale, përfshirë trafikimin e drogës dhe terrorizmin. Si pjesë e fushatës së presionit të Trump, forcat amerikane kanë kryer sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, që kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 100 personave, dhe kanë konfiskuar dy tanke nafte. Anijet e konfiskuara, Skipper dhe Centuries, aktualisht ndodhen pranë bregut të Teksasit. Po ashtu, SHBA ka vendosur sanksione ndaj katër kompanive kineze dhe katër anijeve të lidhura me tregtinë e naftës venezueliane.
Venezuela ka mohuar akuzat dhe ka cilësuar veprimet e SHBA-së si të paligjshme./Bloomberg
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



