Ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia mbërriti në ambientet e gjykatës së Shkodrës në ora 09:45 minuta. Në masa të forta sigurie, ku forca të shumta policie, edhe speciale të FNSH-së kishin rrethuar Gjykatën dhe kur dhjetëra protestues thërrisnin emrin e ish-deputetit, makina e policisë u fut në pjesën anësore të godinës për të futur brenda Spahinë, i cili do të njihej me vendimin e trupës së gjyqtarëve për masën e sigurisë.

Ndaj tij rëndon vepra penale e parashikuar nga neni 236 i Kodit Penal. ” Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet. Të pranishëm, përpara Gjykatës, ishin dhe një grupi i ish-deputetëve si Flamur Noka, Edi Paloka, Ervin Salianji, Klevis Balliu, etj. Spahia mbrohet në këtë seancë nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, avokat Ivi Kaso.

Ish-deputeti i Shkodrës u arrestua mbrëmjen e 20 qershorit, pasi u akuzua se kishte marrë pjesë në trazirat që ndodhën para KZAZ të ngritur në shkollën “Shejnaze Juka” ku u dogjën materialet zgjedhore. Ai ka qëndruar me shume se 48 orë në izolim, ndërkohë qe u ndalua live nga policia teksa shkonte në studion e Top Channel për të qenë pjesë e një debati televiziv.
Edhe të premten mbrëmë, pas mbylljes së protestës së opozitës para Kryeministrisë, qytetarët e ardhur nga Shkodra me në krye kryebashkiaken Voltana Ademi e zhvendosën protestën e tyre para Drejtorisë së Policisë ku kërkuan lirimin e ish-deputetit të këtij qyteti Bardh Spahia.

“Në gjykatën e Shkodrës! Me Bardh Spahinë, i burgosur politik i 2019! Çdo regjim në agoninë e vet bën marrëzi! Rama ndërton strategji me arrestin e përfaqësuesve politikë të opozitës dhe me këto strategji te dala boje kërkon të provokojë opozitën dhe shoqërinë për konflikt!”, do të shprehej ish-deputeti Salianji, i cili poston edhe një foto nga ambientet e sallës së gjyqit.
Prokurori i çështjes u shpreh se “më datën 18 qershor është njoftuar policia se persona të paidentifikuar kanë hyrë në KZAZ nr 3 dhe kanë djegur materialet zgjedhore. Është parë dera e prishur, dritaret e thyera. Bardh Spahia, Nikolla Marku kane qenë me njerëzit në vendin e ngjarjes. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe pasi janë bërë veprimet e para hetimore, janë marrë dhe filmimet nga mediat është parë se Bardh Spahia ka kundërshtuar policinë. I dyshuari Spahia ka qenë aktiv dhe është futur në ambientet e shkollës. Policia e ka thirrur me zë për tu ndalur, por nuk është ndalur. Në këto kushte policia mendojmë se ka vepruar drejtë me arrestimin e tij sepse ka vepruar në bazë të nenit 253 të Kodit Penal”.

Nga kafazi i të pandehurit në Gjykatën e Shkodrës, ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia ka deklaruar se arrestimi i tij është politik, teksa tha se kishte shkuar në KZAZ nr.3 për të qetësuar situatën.
“Po bëj një parantezë se jemi përballë një përplasje të fortë politike dhe sociale. Protestuesit kanë vepruar sepse nuk mund të lejojnë që të uzurpojnë një objekt publik në Bashkinë e Shkodrës nga ana e policisë dhe njerëzve të paautorizuar. Morëm informacion se kishte tension, u drejtuam atje për të qetësuar situatën. Materialet ndodheshin në një ambient të pambrojtur dhe të paautorizuar. Arrestimi im ka prapaskenë politike”, u shpreh Spahia.
Ndëra avokati mbrojtjes, Kaso deklaroi në sallë se “pranojmë vetëm faktin që Spahia ka qenë në grumbullimin e njerëzve, por për një arsye krejt tjetër legjitime, por jo për arsyetimin e pretenduar nga Prokuroria”.
“Policia ka pasur ngut të priste urdhërimin e Prokurorit për të kryer arrestin. Ndërkohë arsyetimin që bën prokurori nuk duhet as të relatojë dhe referuar procesverbaleve e të tjera si ato që tha prokurori. Ato nuk qëndrojnë për të dyshuarin Spahia. Procedura e ndjekur për arrestim është jashtë ligji. Nuk kemi të bëjmë me person me rrezikshmëri për ikje”, tha Kaso.
Avokati mbrojtës theksoi se “Referuar rrethanave të personalitetit, me një detyre të lartë, ka qenë përfaqësues i zgjedhur, bazuar mbi gjendjen e tij gjyqësore, nuk ka qenë ndonjëherë i ndjekur apo i dënuar, duke pas parasysh profesionin e tij, po flasim për mjek, kërkojmë një masë më të lehtë dhe kjo do te lejonte mundësinë e të dyshuarit për të kontribuar ne shqyrtimin dhe nxjerrjen e të vërtetës”.

Pas dëgjimit të palëve, trupa gjyqësore e Gjykatës së Shkodrës dha masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish deputetin demokrat Bardh Spahia, ndërkohë prokuroria kërkoi arrest me burg.
Gjykata e Shkodër dha më herët edhe masën e sigurisë “arrest me 30 ditë burg” për Alfred Nikollin dhe Gentian Bytyçin, ndërsa “arrest shtëpie” për Adi Garuci, Aleks Ndoj dhe Orlando Thepi. Një pjesë e tyre ishin punonjësit të policisë bashkiake.
Kryebashkiakja Voltana Ademi reagoi duke i cilësuar këto vendime si në kohën e diktaturës.
Ndërsa ish-deputeti i PD-së, Flamur Noka, drejtuesi politik i PD-së për këtë qark, u shpreh se “Ky gjyq politik është pjese e provokimit që Edi Rama dhe banda në pushtet i bën Aleancës për Mbrojtjen e Demokracisë, ky gjyq nuk mund ta stepë Partine Demokratike për mbrojtjen e demokracisë. Ky veprim duke arrestuar ish- deputetin dhe duke lënë në burg dy policë bashkiakë që ishin në krye të detyrës për të mbrojtur ligjin, për lirimin e një institucioni në administrimin e bashkësie”.
“Asgjë nuk na ndal e nuk na step për mbrojtjen e demokracisë, data 30 nuk është datë zgjedhjesh, ai mund të bëjë zgjedhje në partine e tij, por me Shqipërinë jo. Prandaj ai ta harrojë atë datë. Rama do të ikë, Shqipëria do te zhvilloje zgjedhje të lira pa Edi Ramën”, theksoi Noka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



