Drejtësia

Sulmi ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, dëshmitari (‘i zhdukur’) tregon sherrin mes atentatorëve

Gazeta Si – Në gjyqin ndaj dy të dyshuarve, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe për atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoj dhe Aleksandër Laho (“Rrumi i Shijakut”), ngjarje ku humbi jetën Andi Maloku, pritej të paraqiteshin tre dëshmitarë, por asnjë prej tyre nuk gjendej në banesë.

Prokuroria e Posaçme i bëri kërkesë gjykatës që të bëhet leximi i deklarimeve të tyre, të dhëna në fazën e hetimeve paraprake.

Kështu, gjatë seancës së kësaj të premteje, prokurori i SPAK, Adnan Xholi lexoi deklarimet e një dëshmitari okular, i cili ka parë automjetet që u përdorën në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoj.

Dëshmitari ishte thirrur në gjyq, por ai nuk është gjetur, pasi është larguar nga Shqipëria, ndaj prokurori lexoi deklarimet e tij dhënë pas ngjarjes para Oficerit të Policisë Gjyqësore.

“Dy makinat ndaluan dhe pashë që personat që dolën filluan të debatojnë. Njëri që kishte thikë në dorë i tha ‘Pse se mbarove punën, do ta pres fytin të…robt’”, kjo ishte dëshmia që u lexua nga Prokurori.

Xholi lexoi edhe deklarimet e dhëna nga Aleksandër Laho pas ngjarjes ku ai mbeti i plagosur. Edhe “Rrumi” nuk është gjetur për t’u thirrur si dëshmitar pasi ai është person i shpallur në kërkim. Por çfarë deklaroi ai pas atentatit të vitin 2019?

“Para atentatit ishim për drekë me Arjan Ndojën dhe Enver Shabën e një shok të tij. Kur u nisëm kam parë një vajzë me emrin Lusi që e njihja në trotuar, e cila shikonte nga ne dhe pastaj ajo hipi në një automjet me një zyrtar të hipotekës”, tha asokohe Laho.

Ndërkohë, Plaurent Dervishaj kërko që të jenë të pranishëm në sallë dëshmitarët: “Dëshmitarët duhet të vijnë në sallë të na shohin a jemi ne ato personat te Benzi.” Prokurorit Xholi i drejtoi edhe pyetjen: “Për “Rrumin”, zoti prokuror i beson asaj dëshmie apo jo?”

Ndërsa Meçaj pretendoi se dëshmitarët nuk kanë lidhje me procesin e tij.  “Ç’punë kanë këto dëshmitarë me procesin tim. S’e kuptoj”, tha ai.

Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u ekstraduan nga Dubai në gusht të vitit 2024. Dervishaj akuzohet si organizatori i atentatit ndaj ish-prokurorit në nëntor 2019 ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij. SPAK e zbardhi atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në “SkyECC”.

Për ngjarjen e ndodhur në 1 nëntor 2019 te mbikalimi i Shkozetit, Redjan Rraja u dënua në prill 2024 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit me burgim të përjetshëm si një nga atentatorët.

Fajtor u shpall edhe bashkëpunëtori i tij, Aril Halilaj, i dënuar me 35 vjet burg.

Në atë ngjarje u plagos ish-prokurori Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi i njohur si “Rrumi i Sukthit”. Nga të shtënat me armë zjarri fatkeqësisht humbi jetën një javë më vonë në spital shoferi Andi Maloku.

Ndërsa porositësit dhe financuesit e kësaj ngjarje janë në proces gjykimi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për shkak se kanë qenë në kërkim dhe janë zbuluar nga komunikimet në Sky Ecc.

Të pandehurit janë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani dhe akuzohen për disa vepra penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë