Drejtësia

Sulmi ndaj Sokol Mëngjesit, Saimir Vishaj: Kur goditet një avokat, preket shteti

Gazeta Si- Kreu i Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, duke dënuar sulmin ndaj kolegut Sokol Mëngjesi, ka deklaruar se në këtë ngjarje të rëndë u godit shteti.

Në një prononcim për mediat pranë ambienteve të SPAK, lidhur me dhunën e ushtruar ndaj Mëngjesit në zonën e ish-bllokut në kryeqytet, Vishaj vlerësoi Mëngjesin si një prej avokatëve më të mirë që ka sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

“Kur preket një avokat, preket shteti. Ashtu sikurse kur preket një punonjës policie, të gjithë duhet të ngrihen në këmbë. Pa avokat nuk ka drejtësi. Është një mision aq i bukur dhe i vështirë. Kemi një heshtje të organeve, mbase mbajnë sytë tek qielli. U them pjesëtarëve të institucioneve shtetërore të luten bashkë me ne që shoku jonë të dalë nga koma. Kanë dashur të vrasin një nga avokatët më të mirë që ka pasur sistemi i drejtësisë”, tha Vishaj.

Për kreun e Shoqatës së Avokatisë, autorët duhet të marrin dënimin maksimal.

“Uroj që organet e drejtësisë të japin dënimin maksimal sepse kanë dashur të vrasin një nga avokatët më të mirë që ka sistemi i drejtësisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë