Nga Gazeta ‘Si’- Izraeli shënjestroi liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah në një seri sulmesh të mëdha ajrore në Bejrut të premten duke i shkaktuar vdekjen.
Sulmi ajror goditi disa ndërtesa në Dahieh, bastioni i Hezbollahut në jug të qytetit. Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) tha se një sulm “shumë i saktë” ishte kryer në shtabin e Hezbollahut.
Ndërkohë, në përditësimin e saj të fundit, Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se të paktën gjashtë persona ishin vrarë në sulmet e së premtes dhe 91 ishin plagosur.
Sulmet ajrore erdhën pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajti një fjalim në asamblenë e përgjithshme të OKB-së në New York, ku u zotua të vazhdojë të sulmojë Hezbollahun, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim të përkohshëm. Mbrëmjen e kaluar, zyra e kryeministrit izraelit tha se ai do të kthehej me urgjencë në Izrael.
Sot, në orët e para të mëngjesit, ushtria izraelite tha se forcat e saj po sulmonin objektivat e Hezbollahut në Bejrut, teksa më herët IDF u kërkoi banorëve të disa periferive jugore që të evakuoheshin menjëherë.
Pamjet nga Bejruti tregojnë shtëllunga të mëdha tymi, ndërsa njerëzit e zhvendosur kërkuan strehim në sheshin e Dëshmorëve të kryeqytetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.