Sociale

Subvencioni i energjisë- 1 në 3 familje përfiton, të tjerat pengohen nga kontratat e dritave dhe qirasë

Nga Gazeta Si- Ndërkohë që skemat sociale synojnë të mbështesin shtresat më në nevojë, një pjesë e madhe e familjeve që përfittojnë ndihmë ekonomike në Shqipëri mbeten jashtë përfitimeve bazike, si subvencioni për energjinë elektrike.

Sipas Raportit Vjetor 2025 të Shërbimit Social Shtetëror, gjatë vitit të kaluar vetëm rreth 33% e totalit të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, 1 në 3 familje, kanë përfituar kompensimin për energjinë elektrike.

Raporti thekson se kjo përqindje e ulët nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e nevojës, por me vështirësitë për të plotësuar dokumentet. Në shumë raste, këto pengesa burojnë nga mënyra si jetojnë familjet në nevojë.

Një nga problemet kryesore mbetet strehimi me qira. Shpesh, kontrata e energjisë elektrike nuk është në emër të familjes që banon në banesë, por të pronarit, ose mungon plotësisht një marrëdhënie e formalizuar me operatorin e shpërndarjes së energjisë. Kjo situatë bën që familjet të mos përfitojnë nga subvencioni.

Raporti evidenton gjithashtu se jashtë skemës mbeten shpesh familjet që jetojnë në një banesë me më shumë se një kurorë familjare, një realitet i përhapur.

Në këto raste, kontrata e energjisë është zakonisht në emër të një kryefamiljari, ndërsa kurorat e tjera martesore, ndonëse në kushte të vështira ekonomike, nuk arrijnë të përfshihen në skemë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë