Nga Gazeta Si - Reshjet e shiut kanë "pushtuar" vendin, duke krijuar përmbytje në disa qytete, para së gjithash në Vlorë, Durrës e Lezhë, ndërkohë që qarkullimi në qytete të tjera është vështirësuar për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugë.
Në Vlorë, reshjet e dendura sollën përmbytje dhe prezencë uji deri në 20-30 cm, ndërkohë që në disa zona të tjera niveli i ujit shkoi edhe 50 cm.
Sipas një njoftimi për mediat në orët e mbrëmjes, situata në qytetin bregdetar është drejt normalizimit. Pas reshjeve të dendura në pjesën e dytë të ditës së sotme, intensiteti i reshjeve ka rënë dhe si pasojë edhe uji është tërhequr.
Ministria e Mbrojtjes, në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm dhe AKMC, dërgoi sot në qytetin e Vlorës 28 forca të ushtris, 8 mjete me kalueshmëri të lartë, 2 motopompa për heqjen e ujit, 1 gomone dhe 5 mjete transporti.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 3 orë u regjistruan rreth 180 mm reshje shiu. Ndërkohë, janë evakuuar 33 familje (55 persona), të cilët janë sistemuar në ambientet e konvikteve nga Bashkia Vlorë.
Problemet më të mëdha u evidentuan në lagjen "Rilindja", zonën e bibliotekës së qytetit dhe zonën e Skelës ku shumë banesa e biznese ndodhen nën ujë. Prej stuhisë, i gjithë qyteti i Vlorës mbeti edhe pa energji elektrike.
Pronarët e një farmacie në Vlorë u bllokuan brenda për shkak të situatës së përkeqësuar nga reshjet dhe përmbytjet në rrugë.
Raportohet se për nxjerrjen e tyre jashtë farmacisë kanë ndërhyrë zjarrfikëset. Në rrugën “Albano dhe Romina” situata ishte kaotike.
Ndërkohë që Bashkia e Vlorës ka bërë me dije që qytetarët të bëjnë kujdes në disa lagje të qytetit, kur të qarkullojnë apo dhe të parkojnë pasi ne orët në vijim mund të rritet dhe niveli i ujit. Lagja "Skelë", "Pavarësia", "Kushtrimi", "Rilindja" janë zona që sa herë ka reshje shiu përmbyten.
Duke u nisur nga situata e rënduar e krijuar nga moti i keq në Vlorë, kanë ndërhyrë edhe Forcat e Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka njoftuar me anë të një postimi në Facebook se Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, pas thirrjes për mbështetje nga pushteti vendor, dhanë mbështetjen me 2 moto varka, 2 ekipe të pajisur me 2 motopompa, 8 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 30 forca ushtarake.
"Moti i keq i shoqëruar me intensitet reshjesh të pazakontë në disa zona të vendit ka shkaktuar problematika të ndryshme. Në Vlorë, situata u rëndua si pasojë e prurjeve të mëdha, ndërsa problematika janë regjistruar në stacionet e pompimit. Në këto kushte, Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, pas thirrjes për mbështetje nga pushteti vendor, dhanë mbështetjen me 2 moto varka, 2 ekipe të pajisur me 2 motopompa, 8 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 30 forca ushtarake. Gjithashtu, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit pranë Bashkisë Vlorë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po koordinon dhe organizon strukturat operacionale ne nivel vendor dhe qendror, ku nga Forcat e Armatosura janë nisur edhe 6 forca e 2 mjete nga Reparti i Këmbësorisë së Jugut. Mbetemi në monitorim të situatës gjatë orëve në vazhdim", thuhet në postimin e ministrit, Pirro Vengu.
Stuhia me erë të fortë dhe shi e ka bërë të pamundur qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve gjatë paradites në rrugët e qytetit të Durrësit.
Ndërkohë që është pezulluar përkohësisht dalja në det e flotës së peshkimit, ndërsa tragetet nga Durrësi drejt Barit u nisën me 8 orë vonesë për shkak të dallgëve që shkonin 6 deri 7 ballë në detin Adriatik. Gjithashtu edhe në Lezhë moti i keq ka shkaktuar probleme duke përmbytur rrugët e qytetit.
Stuhia shkaktoi probleme edhe në Lushnjë ku niveli i ujit në rrugë i kaloi 40 centimetra, ndërsa shumë mjete u bllokuan në rrugë si pasojë e përmbytjeve.
Në Lezhë. Stacioni Meteorologjik Ushtarak konfirmoi se ranë mbi 45 milimetra shi. Reshjet me intensitet të lartë shkaktuan probleme në lagjen 11 janari, ku pati edhe përmbytje.
Në Shkodër, situata ishte pak më e lehtë. Stuhia zgjati rreth 20 minuta. Prej stuhisë që zgjati për rreth një orë, uji vërshoi edhe në rrugët e Bulqizës.
Në Elbasan qytetarët e kanë të pamundur të kalojnë në rrugë për shkak të bllokimit. Probleme nga reshjet raportohen edhe në Shkodër, Kukës, Bulqizë dhe Vlorë.
Në disa zona në kryeqytet është krijuar trafik i rënduar, pasi makinat qarkullojnë me vështirësi nga reshjet e dendura të shiut.
Prej orëve të mesditës dhe deri në orët e mbrëmjes reshjet e shiut pritet të jenë me intensitet mesatar dhe të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike.
Në mbrëmje, intensiteti i larte i reshjeve do të sjellë përmbytje në shumë nga zonat urbane. Konkretisht priten sasi deri 100 mm në qarqet Shkodër, Pukë dhe Lezhë, rreth 70 mm shi në zonat qendrore përfshirë Tiranën dhe po kaq të larta, 70-80mm shi do të bien edhe në zonat jugore duke shkaktuar përmbytje lokale.
Policia e Shteti ripërsëriti apelin për shoferëve dhe këmbësorëve që të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjeve të tyre përgjatë gjithë fundjavës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.