Moti

Stuhia ‘Boris’ ndikim edhe në Shqipëri / Shira të përkohshëm. Temperaturat deri në 30°C

Nga Gazeta ‘Si’- Territori shqiptar do të paraqitet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike duke sjellë vranësira dhe shira të përkohshëm ku më të dukshme shirat do të jenë në zonat jugore dhe juglindore.

Parashikohet që pasditja të sjellë përmirësim të situatës së motit në pjesën më të madhe të territorit duke lënë më vranësira dhe shira vetëm zonat malore përgjatë shtrirjes Lindore.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 10°C vlera më e ulët deri në 30°C vlera më e lartë në territor.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi permanent Verior duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 2-3 ballë.

Stuhia Boris që përfshiu Evropën qendrore dhe pjesë më të madhe të Italisë vijon ndikimin e saj dhe kjo do të bëjë që dita e sotme, por edhe fundjava të mbeten nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm në territorin shqiptar. Të shtunën dhe të dielën përmirësohet ndjeshëm situata e reshjeve. Reshjet do jenë shumë më të pakta, kryesisht në zonat jugore dhe juglindore priten rrebeshe ndërsa pjesa tjetër e territorit do të ketë kthjellime, vranësia dhe vetëm momente me pika shiu. Dita e diel do ketë reshje të pakta dhe të izoluara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë