Shendet

Studimi: Rastet e demencës pritet të trefishohen në të gjithë botën deri në vitin 2050

Deri në vitin 2050, më shumë se 153 milionë njerëz mund të kenë demencë, (humbja e funksionit kognitiv – të menduarit, të kujtuarit dhe arsyetimit) nga 57 milionë në vitin 2019, paralajmërojnë ekspertët. Rritja e parashikuar është kryesisht për shkak të plakjes së popullsisë, por sipas studimit të publikuar në revistën mjekësore “The Lancet Public Health”, ndikon edhe stili i jetesës.

Faktorët e rrezikut që duhet të adresohen urgjentisht dhe konsiderohen si ndër efektet kryesore janë normat e larta të pirjes së duhanit, obeziteti dhe diabeti.

Studimi, i cili shqyrton 195 vende, synon t’u japë qeverive një ide se cilat burime dhe mbështetje mund të nevojiten dhe çfarë veprimi mund të ndihmojë. Demenca është tashmë shkaku i shtatë kryesor i vdekjeve në mbarë botën dhe një nga shkaqet kryesore të paaftësisë tek të moshuarit. Por nuk është e pashmangshme. Studiuesit theksojnë rëndësinë e përmirësimeve në aksesin në arsim në vendet anembanë botës dhe thonë se shifra e tyre e parashikuar për vitin 2050 tashmë është përshtatur në rënie me 6.2 milionë, bazuar në atë që pritet të ndodhë në këtë fushë.

Ata janë më pak optimistë për efektet e mbipeshës, sheqerit të lartë në gjak dhe pirjes së duhanit mendohet se do të shkaktojnë shtatë milion raste shtesë në vitin 2050.

Autorja kryesore  e studimit Emma Nichols, nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit, në Universitetin e Uashingtonit, në SHBA, tha se ekspertët shëndetësor duhet të përqendrohen më shumë në parandalimin dhe kontrollin e faktorëve të rrezikut.

“Për të pasur ndikimin më të madh, ne duhet të reduktojmë ekspozimin ndaj faktorëve kryesorë të rrezikut në çdo vend. Për shumicën, kjo do të thotë përshkallëzimi i programeve të përshtatshme lokale dhe me kosto të ulët që mbështesin dieta më të shëndetshme, më shumë stërvitje, lënien e duhanit dhe akses më të mirë në arsim”, shtoi ajo.

Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë