Njerez

Studimi: Një në tre fëmijë me aftësi ndryshe përjeton dhunë gjatë jetës

Një e treta e fëmijëve dhe adoleshentëve me aftësi ndryshe përjetojnë dhunë, ka zbuluar një studim i fundit i publikuar “The Lancet”.
Një përmbledhje sistematike e 92 studimeve që përfshinin më shumë se 16 milionë të rinj nga e gjithë bota ndërmjet viteve 1990 dhe 2020, tregoi se nivelet e dhunës lanë më të larta tek fëmijët me aftësi ndryshe.
“Gjetjet tona zbulojnë shkallë të papranueshme dhe alarmante të dhunës ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe që nuk mund të injorohen”, tha Jane Barlow, pedagoge në Universitetin e Oksfordit, e cila bashkë-drejtoi studimin.
Normat më të larta të dhunës ishin te fëmijët me çrregullime mendore dhe me aftësi të kufizuara njohëse ose të të mësuarit. Ndërkohë, normat ishin pak më të ulëta për fëmijët me dëmtime shqisore, kufizime fizike ose lëvizëse dhe sëmundje kronike. Një në tre fëmijë dhe adoleshentë me aftësi të kufizuara kanë përjetuar dhunë emocionale dhe fizike. Një në pesë fëmijë me aftësi të kufizuara përjeton neglizhencë dhe një në dhjetë ka përjetuar dhunë seksuale.
Ngacmimet mes bashkëmoshatarëve, gjithashtu janë theksuar në studim, ku tregohet se 40% të fëmijëve me aftësi ndryshe janë ngacmuar nga bashkëmoshatarët e tyre. Studiuesit zbuluan se ngacmimi personal është pothuajse dy herë më i zakonshëm se bullizmi në internet.

“Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të mbrohen nga dhuna që ka pasoja afatgjata sociale, shëndetësore dhe ekonomike, duke përfshirë shkallën më të lartë të braktisjes së shkollës, perspektivat më të këqija për punë dhe një rrezik më të lartë të sëmundjeve mendore dhe sëmundjeve kronike”, tha Barlow.
Është vlerësuar se mbi 290 milionë fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën kanë epilepsi, paaftësi intelektuale, dëmtim të shikimit ose humbje të dëgjimit. Kjo përfaqëson rreth 11% të popullsisë totale të fëmijëve dhe adoleshentëve. Shumë më tepër fëmijë kanë paaftësi të tjera fizike dhe mendore.

Nivelet më të larta të dhunës të përjetuara nga fëmijët me aftësi ndryshe janë të lidhura me stigmën, diskriminimin, mungesën e informacionit rreth aftësisë ndryshe dhe aksesin e pamjaftueshëm në mbështetje sociale për kujdestarët. Varfëria dhe izolimi social gjithashtu i bëjnë fëmijët me aftësi ndryshe më të prekshëm.
Autorët e studimit u bëjnë thirrje qeverive, punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe social dhe studiuesve që të ndërmarrin veprime për të rritur ndërgjegjësimin për të gjitha format e dhunës.
“Ne duhet të investojmë urgjentisht në shërbime dhe mbështetje që trajtojnë faktorët që i vendosin fëmijët me aftësi ndryshe në rrezik të shtuar të dhunës dhe abuzimit, duke përfshirë stresin e kujdestarit, izolimin social dhe varfërinë,” tha Barlow.
Bashkë autori Zuyi Fang nga Universiteti Normal i Pekinit në Kinë theksoi se dhuna është e parandalueshme.
“Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së synojnë t’i japin fund dhunës ndaj fëmijëve deri në vitin 2030. Arritja e kësaj do të kërkojë nga liderët politikë, praktikuesit dhe studiuesit që të punojnë së bashku për të zbatuar atë që ne tashmë e dimë se funksionon për të parandaluar dhunën, siç janë ndërhyrjet prindërore të bazuara në prova gjatë zhvillimit dhe duke vlerësuar ndërhyrjet efektive në komunitet, në shkollë dhe në internet që synojnë forma specifike të dhunës”,shtoi Fang.
Burimi: Euractiv/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë