Në disa vende të botës, vëmendja për përhapjen e nënvariantit të Omicron BA.2, është shumë e lartë dhe gjithashtu ngre një shqetësim të madh. Studimi i fundit që vjen nga Japonia tregon se mutacioni i ri Covid-19 do të jetë në gjendje të përhapet edhe më shpejt, të shkaktojë një ashpërsi më të madhe të sëmundjes dhe të shmangë reagimin e sistemit imunitar.
Çfarë thotë studimi?
Studiuesit e hulumtimit të botuar në Biorxiv thonë se, për njerëzit, ai mund të jetë një virus më i keq se varianti normal Omicron dhe mund të jetë në gjendje të përhapet më shumë.
“Problemi qëndron se mund të shmangë sistemin imunitar dhe të shkaktojë sëmundje më të keqe”, tha Daniel Rhoads, shefi i seksionit të mikrobiologjisë në Klinikën Cleveland në Ohio.
Rhoads rishikoi studimin edhe pse ai nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në kërkim. Profesori vuri në dukje se BA.2 është dukshëm i ndryshëm nga virusi i parë që u shfaq në Ëuhan më shumë se dy vjet më parë dhe “ka dhjetëra ndryshime gjenetike”.
Sikur të ishte një variant i ri?
Një nga studiuesit nga Universiteti i Tokios që kreu studimin shpjegon se ka kaq shumë ndryshime me Omicron sa që nënvarianti as nuk duhet të konsiderohet si i tillë, por si një mutacion i ri i pavarur vetëm për fakti që ka 28 mutacione unike që shkencëtarët po përpiqen t’i studiojnë dhe të kuptojnë efektet e tij.
Në fakt, të dhënat e para tregojnë se është më ngjitës se Omicron në një përqindje që varion nga 30% në 50% dhe ul efikasitetin e vaksinës. Siç raportohet, ky variant i ri tashmë është përhapur në më shumë se 70 vende të botës dhe pothuajse në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Në të paktën 10 vende të botës, veçanërisht në ato të Lindjes së Largët, ai është bërë dominues siç thuhet në raportin javor epidemiologjik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Nuk mendohet një valë e re infektimesh
Megjithatë, ekspertë të tjerë kanë shkruar se ka shumë pak gjasa që Omicron 2 të nisë një valë të re të pandemisë në botë, problemet mund të ndodhin vetëm në vendet që janë ende prapa vaksinimit.
“Nënvarianti mund të zgjasë valën e pandemisë. Por të dhënat tona tregojnë se nuk do të ketë një rritje të rasteve”, tha për revistën “Nature” Dan Barouch, imunolog dhe virolog në Qendrën Mjekësore Beth Israel Deaconess në Boston. Në këtë rast, antitrupat e prodhuar nga tre doza të vaksinës Pfizer dhe Moderna janë treguar të jenë më të mirë në parandalimin e variantit origjinal por me nenvariantin e ri duhet treguar ende kujdes sa i përket efikasitetit të vaksinave.
A mund të riinfektoheni?
Përgjigja nuk është e qartë apo përfundimtare, por ekspertët thonë se ata që janë kuruar nga Omicron besohet se nuk kanë gjasa të preken nga Omicron 2 edhe pse në një pjesë të vogël të rasteve, disa studiues izraelitë kanë identifikuar raste të njerëzve të shëruar nga BA. 1 të infektuar me BA.2.
“Unë mendoj se riinfeksioni nuk ka gjasa, por ne do ta zbulojmë brenda disa javësh”, tha një studiues danez nga Instituti Shtetëror i Serumit në Kopenhagë.
Danimarka ishte vendi i parë europian ku varianti Omicron 2 u identifikua për herë të parë në Europë, duke çuar në një rritje të infeksioneve me 60%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



