Një studim nga Universiteti Queen’s në Belfast dhe Universiteti i Londrës ka treguar se mësuesit mund t’i vlerësojnë nxënësit me nota më të larta nëse ata kanë personalitete më të “pëlqyeshme”, pavarësisht nëse janë të përgatitur apo jo për momentin..
Në studim u gjet një avantazh prej 10% në notat e mësuesve për ata studentë që i shohin dhe mendojnë se kanë personalitet të pëlqyeshëm, krahasuar me rezultatet në provimet anonime.
Studiuesit e universitetit paralajmëruan se studentët “penalizohen” për shkak të pritjeve negative rreth tyre.
Studimi psikologjik shqyrtoi se si personalitetet e studentëve krahasoheshin me notat e dhëna nga mësuesit dhe më pas rezultatet e provimeve me shkrim.
Ai u bazua në një mostër prej 1200 studentësh në Rusi, profilet psikologjike të të cilëve ishin hartuar në krahasim me të dhënat e tyre akademike.
U zbulua se ata me tipare të personalitetit që shiheshin si më pozitivë, më të shoqërueshëm, të sjellshëm dhe “të pëlqyeshëm”, morën nota më të larta, nota që nuk i morën kur bënë provime anonime.
Mësuesit gjithashtu ishin më dashamirës në notat ndaj studentëve që ishin të stresuar ose të shqetësuar, duke treguar më shumë “butësi” në klasa për ata që shiheshin si më “të brishtë emocionalisht”.
Ky model funksionoi kundër atyre që perceptoheshin se kishin tipare më negative, anti-sociale ose të bezdisshme.
“Duket se mësuesit u dhanë nota më të larta nxënësve që ishin më të pëlqyeshëm dhe i ‘gjykonin’ nëse ishin më pak të pëlqyeshëm” tha Kostas Papageorgiou, një nga studiuesit.
Ai thotë se edhe pse gjetjet bazohen në një mostër të të rinjve 14 deri në 18 vjeç në Rusi, kanë një rëndësi në të gjitha sistemet e arsimit.
“Paragjykimi është universal, është pjesë e të gjithë neve”, tha ai.
Në studim nuk u vunë re paragjykime për sa i përket gjinisë ose përkatësisë etnike, por studiuesit thanë se gjetjet zbuluan se perceptime të aftësisë akademike mund të ndikohen nga faktorë të tjerë, në këtë rast nga personalitetet e studentëve.
Papageorgiou thotë se një ndryshim prej 10% në notë mund të mos duket i lartë, por kjo mund të nënkuptojë një ndryshim të rëndësishëm në një mjedis akademik.
Ai tha se kjo tregoi se “paragjykimi mund të funksionojë në shumë nivele”.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




