Sipas një studimi të ri, kimikatet e gjetura në ambalazhet plastike të ushqimeve mund të ndikojnë në metabolizmin e njeriut, të kontribuojnë në zhvillimin e qelizave yndyrore në trup dhe të shkaktojnë mbipeshë. Hulumtimi, i botuar në revistën “Environmental Science and Technology” të mërkurën, gjeti mbi 55,000 përbërës të ndryshëm kimikë në produktet plastike të konsumit dhe identifikoi 629 substanca nga të cilat 11 prej tyre njihen si kimikate që ndikojnë në metabolizëm (MDC).
“Eksperimentet tona tregojnë se produktet e zakonshme plastike përmbajnë një përzierje substancash që mund të jenë një faktor i rëndësishëm dhe i nënvlerësuar”, tha Martin Ëagner, një bashkautor i studimit nga Universiteti Norvegjez i Shkencës dhe Teknologjisë (NTNU) në një deklaratë.
Në studim, kërkuesit shikuan 34 produkte të ndryshme plastike të përdorimit të përditshëm si shishet e kosit, shishet e pijeve dhe sfungjerët e kuzhinës për të parë se cilat kimikate përmbajnë.
Obeziteti është një faktor kryesor kontribues i lidhur me disa nga shkaqet më të zakonshme të vdekjes në botë , të tilla si sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri, me afro 650 milionë njerëz në të gjithë globin që jetojnë me këtë gjendje.
Ndërsa kërkimet e mëparshme kishin treguar tashmë se disa plastikë përmbajnë kimikate që prishin hormonet mund të ndikojnë në zhvillimin dhe fertilitetin, studimi i ri zbuloi se disa kimikate në plastikë mund të kontribuojnë gjithashtu në shtimin e peshës dhe obezitetit.

Kimikatet nga një e treta e produkteve plastike të hulumtuara në studim kontribuan në zhvillimin e qelizave yndyrore në eksperimentet laboratorike, duke riprogramuar qelizat pararendëse për t’u bërë qeliza yndyrore që shumoheshin më shumë dhe grumbullonin më shumë yndyrë. Studiuesit thanë se këto substanca nxitën zhvillimin e qelizave yndyrore, duke treguar që plastika mund të përmbajë gjithashtu kimikate të paidentifikuara që ndërhyjnë në mënyrën se si trupi ynë ruan yndyrën.
“Ka shumë të ngjarë që të mos jenë të dyshuarit e zakonshëm, siç është Bisphenol A, që i shkakton këto çrregullime metabolike. Kjo do të thotë se kimikate të tjera plastike nga ato që ne tashmë i njohim mund të kontribuojnë në mbipeshë,” tha Johannes Volker, autori i parë i studimit.
Ndërsa studimi nuk zbuloi një lidhje të qartë shkak-pasojë midis plastikës dhe obezitetit, studiuesit thanë se kimikatet si ftalatet dhe bisphenolet në produktet plastike të konsumit të përdorimit të përditshëm, si dhe të tjera, efektet e të cilave ende nuk dihen, mund të jenë një faktor.
Duke përmendur kufizimet e hulumtimit, shkencëtarët thanë se grupi i mostrës së plastikës i analizuar në studim “sigurisht nuk është përfaqësues i të gjitha kimikateve plastike ndaj të cilave njerëzit janë të ekspozuar”.
Duke i dhënë përparësi llojeve të polimerit që ka të ngjarë të përmbajnë MDC si polivinilkloruri dhe poliuretani (PVC dhe PUR), ata thanë se studimet e mëtejshme mund të ndihmojnë në karakterizimin e plotë të ekspozimit të njeriut ndaj kimikateve plastike nga të gjitha llojet e produkteve.
“Me sa dimë, ky është studimi i parë që heton aktivitetin adipogjenik të kimikateve të nxjerra nga produktet plastike të konsumit. Studimi ynë tregon se plastika e përdorimit të përditshëm përmban përzierje të fuqishme të MDC-ve dhe, për rrjedhojë, mund të jetë një faktor mjedisor i rëndësishëm por i nënvlerësuar që kontribuon në obezitet,” shkruajnë studiuesit.
Burimi: The Independent/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje