Shendet

Në Ditën Botërore kundër Tumoreve: Kanceri i stomakut në Shqipëri, shifrat më të larta të vdekjeve në rajon

Nga Gazeta Si – Shqipëria renditet e para për shifrat e vdekshmërisë nga kanceri i stomakut në raport me vendet e rajonit të Evropës.

Studimi më i fundit për situatën e tumoreve në vendin tonë, i publikuar në muajin tetor të 2024, e rendit tumorin në stomak, si më agresivin prej disa vitesh, sa i takon numrit të lartë të vdekjeve, bashkë me kancerin e mushkërive.

Sipas regjistrit të kancereve për vitin 2023, kanceri i stomakut zë 11 për qind të vdekjeve nga tumoret, e cila raportohet se është më e larta në Evropë.

Bashkë me kancerin e mushkërive, këto dy sëmundje prekin më shumë meshkujt, të cilët në raport me gratë janë 80 me 20 për qind sa i takon tumorit në mushkëri, dhe 70 me 20 për qind sa i takon kancerit në stomak.

Më pas mbeten kanceri i zorrës së trashë (8,6% e vdekjeve), i mëlçisë (8%),  i gjirit (6%), i trurit (6%), në pankreas (6%), e prostatës (6%), leukozat dhe limfomat (5%), etj., por në studim thuhet se megjithë rritjen e rasteve të prekura në dekadën e fundit, vdekshmëria është më e ulët se rajoni Evropian.

“Në vitin 2023 në Shqipëri u diagnostikuan 6691 raste të reja me kancer. Kanceret me numër më të shpeshtë të rasteve të reja të diagnostikuara në Shqipëri janë kanceri i gjirit me 744 raste (61.4/100000 femra) dhe kanceri i mushkërive me 717 raste (29.8/100000). Kanceret e lëkurës (jo melanoma), megjithëse me rrezikshmëri më të ulët, janë kanceret që diagnostikohen më shpesh. Për vitin 2023 u raportuan 1183 (49.2/100000) diagnoza të reja të kancereve të lëkurës jo melanoma.

Këto 3 kategori të neoplazive malinje përbëjnë së bashku rreth pothuaj 40% të të gjitha rasteve të reja me kancer të raportuara çdo vit nga sistemi shëndetësor’, thuhet në studim. 

Sipas të dhënave më të fundit që i përkasin vitit 2023, kancere të tjera të shpeshta në Shqipëri gjatë vitit 2023 ishin ato të zorrës së trashë (koloni dhe rektumi) me 490 raste të reja ose 20.4/100000 banorë, të fshikëzës së urinës me 452 raste ose 18.8/100000, të stomakut me 331 raste ose 13.8/100000, të trurit me 284 raste ose 11.8/100000, të gjakut dhe sistemit hemopoetik, të mitrës, vezorëve dhe qafës së mitrës, prostatës, pankreasit,  laringut, gojës, veshkave dhe mëlçisë.

Secili nga këto kancere përbën nga 1.5% deri në 5%  totalit të kancereve.

Moshat më të prekura

Ekspertët e shëndetit publik thonë se risku për tu prekur nga kanceret, rritet me moshën, për të arritur kulmin në moshën 79 vjeç.

“Risku para moshës 50 vjeç është i ulët dhe më pak se 14% e rasteve diagnostikohen para kësaj moshe. Vetem rreth 2% të rasteve mund të hasen në grup-moshat nën 30 vjeç. Tek femrat, risku është pothuaj dy herë më i lartë se tek meshkujt në grup moshën 30-55 vjeç, si pasojë e kancereve të organeve riprodhuese femërore (mitra dhe gjiri).

Në moshat mbi 60 vjeç, risku për tu prekur nga kanceri tek meshkujt rritet me shpejtësi për të arritur më shumë se dyfishin e atij të femrave, e shkaktuar kjo kryesisht nga kanceret e mushkërive, stomakut, zorrës së trashë, prostatës etj”, thuhet në studimin e hartuar nga ekspertë të shëndetit publik.

Sipas të dhënave të rasteve të diagnostikuara në spital në vendin tonë, konstatohen më pak raste të kapura për tumorin e prostatës, stomakut, mushkërive, mëlçisë dhe pankreasit.

Kjo, sipas ekspertëve, shpjegohet me faktin e vdekjeve si pasojë e avancimit të sëmundjes tek moshat e vjetra për këto tumore ose mjekimin jashtë të një pjese të pacientëve.

Ndërsa konstatohen shifra më të larta diagnostikimi në QSUT për tumorin e lëkurës.

Qytetet me shifrat më të larta të tumoreve

Për vitin 2023, qarku i Tiranës ka incidencën më të lartë të kancereve në vend, kryesisht ai i lëkurës, më pas renditen Korça, Fieri dhe Berati, përkatësisht mbi 250 raste për 100 mijë banorë.

Ndërsa qytete si Vlora, Shkodra, Dibra dhe Kukësi raportojnë shifra më të ulëta, nën 200 raste për 100 mijë banorë.

Mosha mesatare e vdekjes nga kanceret është rreth 70 vjeç.

Jetëgjatësia nga kanceri në Shqipëri e llogaritur si diferenca e moshës mesatare të vdekjes me moshën mesatare të diagnozës është mesatarisht 7 vjet.

Diferenca në jetëgjatësinë nga kanceri mes meshkujve dhe femrave shpjegohet me faktin se kanceri më i shpeshtë te meshkujt është kanceri i mushkërive, një kancer me mbijetesë të ulët, ndërsa tek femrat kanceri më i shpeshtë është kanceri i gjirit, me një mbijetesë më të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë