Jete & Stil

Studimi/ Jeta na kalon vërtet përpara syve gjatë vdekjes

Të dhënat e reja nga një “aksident” shkencor kanë treguar se jeta mund të kalojë para syve tanë ndërsa vdesim.

Një ekip shkencëtarësh u nisën për të matur valët e trurit të një pacienti 87-vjeçar që kishte zhvilluar epilepsi. Por gjatë regjistrimit neurologjik, ai pësoi një atak fatal në zemër, duke ofruar një regjistrim të papritur të një truri që po vdiste.

Aty u zbulua se në 30 sekondat para dhe pas, valët e trurit të personit ndiqnin të njëjtat modele si ëndërrimi ose kujtimi i momenteve.

“Aktiviteti i trurit i këtij lloji tregon se një ‘kujtim i fundit i jetës’ mund të ndodhë në momentet e fundit të një personi”, shkroi ekipi në studimin e tyre, të botuar në Frontiers in Aging Neuroscience.

Ajmal Zemmar, një bashkautor i studimit, tha se ajo që ekipi mori aksidentalisht, ishte regjistrimi i parë i një truri që po vdiste.

“Kjo në fakt ishte krejt rastësisht, ne nuk planifikonim të bënim këtë eksperiment ose të regjistronim këto sinjale”, tregon Zemmar.

Zemmar, tani një neurokirurg në Universitetin e Louisville, tha se 30 sekonda para se zemra e pacientit të ndalonte furnizimin me gjak në tru, valët e trurit të tij ndoqën të njëjtat modele si kur ne kryejmë detyra si përqendrimi, ëndërrimi ose kujtesa.

Kujtimet vazhduan 30 sekonda pasi zemra e pacientit pushoi së rrahuri, pika në të cilën një pacient zakonisht shpallet i vdekur.

“Kjo mund të jetë një kujtim i fundit që kemi përjetuar në jetë, dhe ato përsëriten përmes trurit tonë në sekondat e fundit para se të vdesim”.

Studimi gjithashtu ngre pyetje se kur, saktësisht, jeta përfundon kur zemra ndalon së rrahuri, apo kur truri ndalon së funksionuari.

Zemmar dhe ekipi i tij kanë paralajmëruar se nuk mund të nxirren përfundime nga një studim i tillë.

“Unë kurrë nuk mendoja se do të raportoja një rast të tillë. Dhe për vite pas regjistrimit fillestar në 2016, ai kërkoi raste të ngjashme për të ndihmuar në forcimin e analizës, por dështoi.

Por një studim i vitit 2013, i kryer mbi minjtë e shëndetshëm dha një të dhënë.

Në atë analizë, studiuesit amerikanë raportuan nivele të larta të valëve të trurit në pikën e vdekjes deri në 30 sekonda pasi zemra e minjve pushoi së rrahuri, ashtu si gjetjet e gjetura në pacientin e Zemmar.

Ata tani shpresojnë se publikimi i këtij rasti njerëzor mund të ‘hapë derën’ për studime të tjera mbi momentet e fundit të jetës.

“Unë mendoj se ka diçka mistike dhe shpirtërore në të gjithë këtë përvojë afër vdekjes dhe gjetjet si kjo është një moment për të cilin shkencëtarët jetojnë”, tha Zemmar.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë