Nga Gazeta Si- Gratë dhe meshkujt kanë pothuajse të njëjtat gjasa të thonë se janë të vetmuar, megjithëse vajzat adoleshente raportojnë nivele më të larta vetmie sesa grupet e tjera.
Një në gjashtë persona në mbarë botën është i vetmuar dhe qindra mijëra vdesin çdo vit si pasojë e kësaj, sipas një analize të re nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Shqetësimet për një epidemi të vetmisë prej vitesh janë bërë më të mëdha dhe në raportin e fundit tregohet se të rinjtë janë më të prekur nga vetmia, me rreth 20.9 për qind të adoleshentëve dhe 17.4 për qind të të rriturve nën 30 vjeç që thonë se ndihen të vetmuar. Kjo krahasohet me 11.8 për qind të atyre të moshës 60 vjeç e lart.
Në përgjithësi, burrat dhe gratë kanë pothuajse të njëjtat shifra por vajzat adoleshente janë grupi më i vetmuar, me 24.3 për qind që thonë se janë të vetmuara.
“Ka shumë faktorë që po nxisin vetminë dhe izolimin”, thotë Dr. Vivek Murthy, bashkëkryetar i komisionit, gjatë një konference për shtyp.
Ai përmendi “shëndetin e dobët fizik dhe mendor, i cili për fat të keq mund t’i izolojë më tej individët”, si dhe “margjinalizimin social” dhe “përdorimin gjithnjë e më të dëmshëm ose të tepërt të mediave digjitale, veçanërisht midis të rinjve”, si probleme kryesore.
Jo të gjithë ata që kalojnë kohë vetëm janë të vetmuar. OBSH-ja thotë se dikush është i izoluar shoqërisht nëse nuk ka lidhje të mjaftueshme shoqërore, ndërsa e përcakton vetminë si “ndjenjën e dhimbshme” që lind kur njerëzit nuk kanë llojin e marrëdhënieve që dëshirojnë.
Si vetmia ashtu edhe izolimi social mund të kenë pasoja të rënda shëndetësore. Ato lidhen me rreth 871,000 vdekje në vit, duke rritur rrezikun e goditjes në tru, sëmundjeve të zemrës, diabetit, rënies njohëse dhe shëndetit të dobët mendor, zbuloi raporti.
Por të kesh lidhje të forta shoqërore mund të përmirësojë shëndetin e njerëzve dhe madje t’i ndihmojë ata të jetojnë më gjatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.