Jete & Stil

Studimi: Filmat vizatimorë po u japin fëmijëve mësime të gabuara në lidhje me dhimbjen

Ekspertët nga Universiteti i Bath dhe Universiteti i Calgary studiuan më shumë se 50 orë filmime nga 10 filma vizatimorë dhe gjashtë programe për fëmijë të publikuar që nga viti 2009.
Ata gjetën 454 incidente që tregonin dhimbje, me 80% të lidhura me lëndime dhe ngjarje të dhunshme dhe vetëm 20% dhimbje që kishin lidhje me përditshmërinë.
Ekipi thotë që regjizorët duhet të bëjnë më shumë për të pasqyruar dhimbjen që përjetohet në përditshmëri.
Për studimin studiuesit shikuan Despicable Me 2, The Secret Life of Pets, Toy Story 3 dhe 4, Incredibles 2, Inside Out, Up, Zootopia, Frozen dhe Finding Dory. Ata gjithashtu analizuan gjashtë programe të njohura televizive për fëmijë; Sofia, Shimmer and Shine, Paw Patrol, Octonauts, Peppa Pig dhe Daniel Tiger’s. Këto programe u zgjodhën për të përfaqësuar seriale televizive të përqendruara tek vajzat ose tek djemtë bazuar në personazhet kryesore të paraqitura.

Autorët zbuluan se kishte një mungesë të përgjithshme ndjeshmërie nga personazhet, me 75% të rasteve të dhimbshme, ata që e panë nuk ishin empatikë në 41% të atyre rasteve. Shprehjet e fytyrës zbuluan se personazhet e djemve kishin më shumë të ngjarë të përjetonin dhimbje të forta krahasuar me personazhet e vajzave, thanë autorët e studimit.
Abbie Jordan, bashkëautore e studimit, tha se mënyra se si fëmijët përjetojnë, kuptojnë dhe menaxhojnë dhimbjen ka pasoja të qëndrueshme për ta dhe shoqërinë.
“Dhimbja, veçanërisht dhimbja kronike, mund të ketë efekte jashtëzakonisht dobësuese në jetën e fëmijëve dhe të rinjve deri në moshën e rritur.” shpjegoi Jordan.
Ajo tha se ne e dimë sa ndikojnë filmat vizatimorë tek fëmijët në ndërtimin e karakterit të tyre prandaj duhet të jenë të gjithë më të kujdesshëm.
Studiuesit duan që regjizorët të përdorin ndikimin e tyre për të rimenduar sesi portretizohet dhimbja në mënyrë që “të pajisin’ më mirë të rinjtë për të përballuar dhimbjen e zakonshme, të përditshme të cilën ka më shumë të ngjarë ta përjetojnë por shpesh harrohet dhe keqkuptohet.
“Vlerësimi ynë është se këto programe mund të bëjnë shumë më tepër për të ndihmuar fëmijët të kuptojnë dhimbjen duke e modeluar atë në mënyra të ndryshme dhe në mënyrë thelbësore duke treguar më shumë ndjeshmëri kur personazhet përjetojnë dhimbje,” shtoi Jordan.
“Kjo është e rëndësishme për mënyrën se si fëmijët bashkëveprojnë me të tjerët kur njëri prej tyre përjeton dhimbje, të tilla si kur një mik mund të rrëzohet në park lojërash ose kur shkojnë te mjekët për vaksinat rutinë.” tha Melanie Noel, pedagoge e Psikologjisë Klinike në Universitetin e Calgary, e cila i përshkroi gjetjet e studimit si “tronditëse”.
Ajo tha se dihet se media ka një ndikim shumë të madh dhe me këtë studim kuptojmë se po i dërgojnë botës mesazhe të gabuara.

“Mënyra se si paraqitet dhimbja në mënyrë joreale po u mëson fëmijëve të vegjël se dhimbja nuk është e denjë për ndihmë ose ndjeshmëri nga të tjerët dhe se do të përjetohet dhe do t’i përgjigjesh ndryshe nëse jeni djalë apo vajzë.” tha ajo.
Një raport i fundit i botuar në Lancet, i shkruar nga studiues nga Universiteti i Bath, zbuloi se dhimbja e fëmijëve shpesh lihet mënjanë. Gjetjet e këtij raporti sugjerojnë se duhet bërë shumë më tepër për të ndihmuar të rinjtë që po luftojnë duke e bërë dhimbjen çështje në të gjithë shoqërinë.
Raporti ka treguat se ndryshimi në shërbimet pediatrike gjatë 40 viteve të fundit në drejtim të njohjes së dhimbjes, diagnozës, vlerësimit dhe menaxhimit është i ngadaltë. Ndërhyrja e fundit e madhe erdhi në vitet 1980 kur, për mrekulli, për herë të parë, u njoh që foshnjat përjetojnë dhimbje. Raporti spekulon se shumë nga ato që ne bëjmë (ose nuk arrijmë të bëjmë) për fëmijët me dhimbje sot mund të shihen si të paarsyeshme, të papranueshme ose joetike në 40 vitet e ardhshme.
Autorët e studimit të ri thonë se gjetjet mund të përdoren për të informuar prodhimet e ardhshme për ta bërë dhimbjen më realiste. Kjo mund të përfshijë tregimin e llojit të dhimbjes që përjetojnë rregullisht fëmijët, të tilla si lëndimi i gjurit ose rrëzimi, si dhe të tjerët të tregojnë më shumë ndjeshmëri.
Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë