Përgjigja imune e nevojshme për të mbrojtur njerëzit kundër riinfektimit me koronavirusin do të hulumtohet në një provë të re tek njerëzit sipas disa studiuesve britanike. Hulumtimi përfshin ekspozimin e qëllimshëm të njerëzve të shëndetshëm ndaj sëmundjeve për të kuptuar sjelljen e sistemit imunitar.
Studimi nisi nga ekspertët në kolegjin “Imperial” në Londër dhe ata në universitetin e Oksfordit dhe pritet që rekrutimi i personave pjesëmarrës në studim pritet të fillojë në javët e ardhshme.
“Qëllimi i këtij studimi është të përcaktojë se çfarë lloj reagimi imunitar parandalon ri-infektimin,” tha Helen McShane, një profesore e vaksinologjisë në Universitetin e Oksfordit, dhe krye-inspektorja mbi studimin.
McShane tha se ekipi do të masë nivelet e përbërësve të ndryshëm të përgjigjes imune të pjesëmarrësve përfshirë qelizat T dhe antitrupat dhe më pas do të gjurmojë nëse pjesëmarrësit u infektuan përsëri kur u ekspozuan ndaj virusit. Pjesëmarrësit duhet të jenë të shëndetshëm, me rrezik të ulët për t’u prekur nga Covid-19, të moshës midis 18 dhe 30 vjeç dhe duhet të jenë infektuar me koronavirus të paktën tre muaj para se të marrin pjesë në studim.
Faza e parë e provës fillimisht do të përfshijë 24 pjesëmarrës të ndarë në grupe prej tre deri në tetë njerëz që do të marrin, përmes hundës versionin origjinal të koronavirusit. Ideja është që të fillohet me një dozë shumë të ulët dhe nëse është e nevojshme, të rritet doza.
“Synimi ynë është që të kemi 50% të subjekteve tona të infektuar, por pa zhvilluar formë të rëndë të sëmundjes.”, tha McShane, duke shtuar se sapo të përcaktohet doza e nevojshme për të arritur këtë, ajo do të përdoret në 10-40 pjesëmarrës të tjerë për të konfirmuar dozën.

Faza e dytë e studimit që pritet të fillojë në verë do të përfshijë një grup të ri pjesëmarrësish dhe do të studiojë nga afër përgjigjen e tyre imune para dhe pas ekspozimit ndaj virusit, si dhe nivelin e virusit dhe simptomat tek ata që infektohen përsëri. .
Nëse konfirmohet ri-infektimi, ose zhvillohen simptomat, në secilën fazë të provës, pjesëmarrësve do t’u jepet një trajtim i antitrupave monoklonal. Pjesëmarrësit do të rimbursohet me 5,000 paund për studimin e plotë, e secili vullnetar do të duhet të karantinoret për të paktën 17 ditë gjatë provës dhe të ndiqet për 12 muaj. Ekipi thotë se studimi jo vetëm që mund të zbulojë se cili nivel i aspekteve të ndryshme të përgjigjes imune janë të nevojshme për të parandaluar ri-infektimin, por gjithashtu hedh dritë mbi qëndrueshmërinë e mbrojtjes dhe për të ndihmuar zhvillimin e trajtimeve dhe vaksinave.
“Nëse ne mund të përcaktojmë nivelin e përgjigjes imune mbi të cilën një individ nuk mund të infektohet, atëherë kjo do të na ndihmojë të përcaktojmë nëse vaksinat e reja do të jenë efektive pa pasur nevojë t’i testojmë ato në provat e efikasitetit të fazës tre,” tha McShane.
Danny Altmann ekspert në kolegjin “Imperial” në Londër, tha se një studim i tillë do të jetë i vlefshëm.
“Studimet e sfidave njerëzore mund të bëhen në mënyrë të sigurt dhe etike për zbulime të shpejta në sëmundjet infektive dhe hulumtimet e vaksinave. Disa nga pikat kryesore që nuk mund të dalin lehtë nga studime të tjera, më pak të kontrolluara janë korrelacionet më të hershme imune të përgjigjes ndaj infeksionit”,shtoi ai.
Burimi:The Guardian/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje