Studentët u kanë vënë drynin dyerve të fakulteteve në disa universitete të Tiranës, si dhe kanë shpalosur pankarta me hashtagun “Bojkot” në ballë të godinave të auditorëve, ku zyrtarisht këtë të hënë nis mësimi.
Bllokimi i dyerve hyrëse është bërë për të penguar edhe ata të rinj që janë në mëdyshje mes protestës apo mësimit, ndërkohë që jashtë fakulteteve të Inxhinierisë e të Arkitekturës dhe Urbanistikës kanë mbetur edhe një pjesë e stafit akademik.
Rreth orës 10:00 grupi i parë i studentëve që u mblodh para godinës së Qeverisë ishte nga lëvizja “Për Universitetin”. Ngadalë atyre iu bashkuan me radhë studentët e Filologjikut, të Ekonomikut, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe të Universitetit Bujqësor, por edhe një grup prej 30 studentësh nga Kosova.
Viti ndryshoi, por thirrjet mbetën të njëjta. Studentët këmbëngulin në qëndrimin e tyre për anulimin e ligjit për arsimin e lartë, të cilin e fajësojnë për gjendjen e arsimit në vend. Kjo kërkesë u bashkohet 8 pikave të mëhershme të të rinjve, duke u bërë pika e nëntë e tyre.
Megjithatë, numri i protestuesve në këtë tubim të parë të studentëve ishte më i paktë në krahasim me protestat e para pushimeve të festave të fundvitit. Por, për studentët suksesi i protestës së tyre nuk matet me shifrat në shesh, por me studentët që bojkotojnë mësimin.
“Përsa kohë mësimi është bojkotuar në të gjithë auditorët e universiteteve publike shqiptare, protesta jonë është masive”, thonë ata.
Grupe dhe faqe të ndryshme në rrjetet sociale prej disa ditësh postojnë thirrje për tubim, por jo të gjitha kërkuan që tubimi të zhvillohet para Kryeministrisë, pikërisht aty ku u mbyll në 2019.
E përbashkëta e të gjithë postimeve është se bëjnë thirrje për t’u grumbulluar në fakultetet përkatëse dhe më pas nisja e marshimit në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Këtu fillon ndasia. Një pjesë e organizatorëve duken se kërkojnë që protesta të mos zhvillohet para Kryeministrisë, por në Sheshin “Nënë Tereza”.
Gazeta “Si” kontaktoi me një grup studentësh të Arkitekturës, aty ku nisi gjithçka. Studentët na thonë se nuk kanë ndonjë preferencë të veçantë mes sheshit “Nënë Tereza” dhe bulevardit para Kryeministrisë.
“Rëndësi ka që të jemi me një zë në thirrjet për plotësimin e kërkesave tona dhe të jemi sa më shumë në protestë”, thonë ata.
Por ka nga ata që u druhen përfshirjes së forumeve rinore partiake dhe politizimit të protestës. “Tek sheshi Nënë Tereza është edhe Rektorati, që është një prej përgjegjësve kryesorë për gjendjen e arsimit të lartë në vend, ndaj protesta aty qëndron”, deklarojnë ata.
Në kuadër të organizimit për protestën e së hënës, një grup studentësh të Fakultetit të Ekonomikut u përpoqën që të hyjnë në ambientet e godinës pasditen e së shtunës. Por, ata u ndaluan nga rojet private dhe më pas edhe nga Policia e Shtetit.
Studentët e interpretuan këtë ndërhyrje të policisë si përpjekje për t’i intimiduar për të mos vijuar me protestën. Por, administrata e Universitetit të Tiranës është mbrojtur duke deklaruar se ambientet e fakulteteve janë të mbyllura në ditët e shtuna dhe të diela dhe ato ruhen nga kompania e sigurisë fizike, e kontraktuar për këtë shërbim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





















