Arsim

Studentët jashtë ‘Pakos së Madhe’, Kushi: Mbështetëm familjet e tyre. Po zgjidhim kërkesat e pedagogëve

Gazeta Si- E pyetur për shqetësimin që studentët kanë treguar sepse nuk janë përfshirë e “Pakos së Madhe”, Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka thënë se studentët janë përfshirë në pakon e madhe në mënyrë indirekte, nëpërmjet familjeve të tyre.

“Studentët mund të mos jenë përfshirë në mënyrë direkte por ata janë përfitues në formë indirekte nëpërmjet prindërve dhe familjeve të tyre. Mbështetja ndaj familjes së tyre është ndihmë edhe për ta, më pak pagesë për energjinë apo edhe çmimi i biletës falas të transportit për studentët është një mbështetje për studentët”, tha Kushi gjatë analizës për punën në vitin që lam pas dhe objektivat për 2023-shin.

Ndërkohë Kushi tha se objektivat për 2023 përfshijnë edhe rimbursimin e biletës së transportit për nxënësit dhe eliminimi i klasave kolektive.

“Rimbursimi i biletave të transportit është një nga sfidat tona. Ka ende shumë punë sepse jo në të gjitha zonat periferike mbulohet shërbimi I transportit, por ne rimbursojmë familjet dhe ata gjejnë zgjidhjen”, tha Kushi duke shtuar se ky proces lidhet ngushtë dhe me klasat kolektive.

Kushi shpjegoi se çdo shkollë qendër ka shkollat vartëse. Dhe kur shkollat vartëse nuk plotësojnë numrin e nxënësve, ndodh që nxënës të viteve të ndryshme mësojnë bashkë dhe për këtë arsye do të punohet në transferimin e këtyre nxënësve në shkollat qendër, ku do mësohen nga mësues të profilit. Kjo dhe shton nevojën për transport për nxënësit që jetojnë larg.

Kushi foli edhe për protestën e pedagogëve, që u mbyll për t’u “rikthyer” në sezonin e provimeve. Pedagogët kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë sezonin e provimeve nëse nuk plotësohen kushtet e tyre.

“Mbështetja jonë do të jetë e vazhdueshme për pedagogët. Për kushtet e vështira që ndodhemi, hapi i parë është deri në një farë mënyre e kënaqshme. Ne kemi ngritur një komitet të politikave të arsimit të lartë më përfaqësues të të gjithë Universiteteve dhe jemi duke u dhënë zgjidhje një nga një pikave që pedagogët kanë parashtruar.

Ndërkohë Ministrja për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi është shprehur se qeveria do të mbulojë një pjesë të kostos për kurse profesionale në Teknologjinë e Informacionit. Ministrja u shpreh se në bazë të mundësive të nxënësve do të jetë edhe përqindja e ndihmës nga qeveria. Muzhaqi tha gjithashtu se qeveria nuk do mbulojë vetëm kostot por edhe të mundësojë një treg pune për këta.

“Do të ketë mbështetje financiare nga ana e qeverisë për kurset profesionale për të rinjtë që duan të profilizohen në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit. Për të rinjtë në vështirësi ekonomike do të ketë bursë më të madhe. Ndërkohë të rinjtë që janë me aftësi të kufizuara do të marrin 20 mijë lekë bursë”, tha Muzhaqi.

Gjithashtu Ministrja tha se të rinjtë do të mbështeten edhe pasi të mbarojnë kurset.

“Kemi filluar bisedimet me bizneset dhe pas përfundimit të kursit, të rinjtë do kenë mundësi të aplikojnë për punë në biznese që kanë nevojë për forcë punëtore”, tha Muzhaqi duke shtuar se gjithë procesi i aplikimit do të bëhet së shpejti online, në E-Albania.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë