Lajme

Studentët i kërkuan dorëheqje? Rektori Koni mohon përplasjen

Në vorbullën e zërave për një dorëheqje të mundshme pas përplasjes me senatin akademik, rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni ka përgënjeshtruar gjithçka.

Në një postim në “Facebook”, Koni ka thënë se të premten do të shkojë në Fakultetin e Drejtësisë për të takuar studentët që ndodhen brenda këtij fakulteti.

“Sot në datën 24 janar 2019, në mbledhjen e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, ashtu sikurse ishte vendosur në rendin e ditës, u shqyrtua materiali i përgatitur nga grupi i punës në lidhje me aktet nënligjore të miratuara në datën 26 dhjetor 2018 nga Këshilli i Ministrave, – sqaron Koni. – Gjatë kësaj mbledhjeje, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Z. Artan Hoxha paraqiti situatën mbi atë se çfarë po ndodh në këtë fakultet dhe pas diskutimeve, Senati vendosi të dëgjojë një përfaqësi të studentëve të FD rreth shqetësimeve të tyre për vijueshmërinë e procesit mësimor”.

Koni shpjegon se “studentët kërkuan që t’u garantohet e drejta për procesin e mësimdhënies. Në këto kushte, Rektori i Universitetit të Tiranës deklaroi menjëherë se ditën e premte datë 25 janar 2019, ora 10:00, do të shkojë në Fakultetin e Drejtësisë për të takuar studentët që ndodhen brenda këtij fakulteti. Më pas Senati vazhdoi mbledhjen e tij sipas axhendës. Çdo artikulim tjetër nga disa portale lajmesh është i pavertetë dhe një spekulim i stisur”.

Më herët, qarkulluan zëra se me kërkesë të studentëve të Universitetit, pas një takimi me Konin, rektorit i është kërkuar të japë dorëheqjen pas akuzave për shkelje flagrante të ligjit, para së gjithash, për uzurpimin e ambienteve të disa fakulteteve, duke mos lejuar zhvillimin e mësimit në auditore.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2295698367119422&id=1117897994899471

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë