Arsim

Studentët e mjekësisë apel deputetëve: Na ndihmoni me padinë për në Kushtetuese

Nga Gazeta Si - Studentët e Mjekësisë, të cilët prej tre muajsh po protestojnë për ligjin që i detyron të qëndrojnë në Shqipëri pas mbarimit të studimeve ose në të kundërt të paguajnë një tarifë prej 240 mijë lekësh; u janë drejtuar deputetëve të Parlamentit për ndihmë. Ata ndërkohë kanë vendosur të bojkotojnë vitin akademik, por në vijim të përpjekjeve të tyre kanë kërkuar ndihmën e deputetëve me nënshkrimin e një kërkesë padie për në Gjykata Kushtetuese.

“Ne studentët e degës Mjekësi e Përgjithshme pranë Universitetit të Mjekësisë Tiranë kemi afro 3 muaj që përballemi me nismën e Këshillit të Ministrave për miratimin në Kuvend të projektligjit "Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë 'Mjekësi e Përgjithshme' në institucionet publike të arsimit të lartë" që kaloi i pandryshuar në seancë plenare më 21 korrik 2023", shkruhet në letrën e studentëve.

"Qëndrimet tona publike, mediatike dhe në dy seancat dëgjimore pranë Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik kanë qenë të qarta dhe shteruese rreth pasojave të këtij ligji mbi të ardhmen e Universitetit të Mjekësisë dhe sistemit shëndetësor në përgjithësi, por mbi të gjitha në lidhje me antikushtetueshmërinë e tij”, shkruhet në letrën e dërguar deputetëve.

"Cenimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, së të drejtës kushtetuese për arsimim dhe detyrimit te IAL-ve për të pajisur studentët me diplomën përkatëse menjëherë pas përfundimit të programit të studimeve janë disa prej argumenteve që na shtyjnë të ndjekim deri në fund çdo rrugë ligjore për shfuqizimin e ligjit", thonë studentët.

Në letër shkruhet se aktualisht avokatët janë në përgatitje e sipër të padisë për shfuqizimin e ligjit që do t'i paraqitet Gjykatës Kushtetuese, prandaj janë duke shqyrtuar mundësitë në lidhje me legjitimimin e padisë.

“Nisur nga neni 134, pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që parashikon se jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë janë një subjekt i pakushtëzuar për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, po ju drejtohemi me këtë kërkesë. Shpresojmë në një përgjigje pozitive duke shprehur vullnetin për të na ndihmuar me nënshkrimin Tuaj të një kërkesë padie për në Gjykatën Kushtetuese. Në rast të angazhimit për të na dhënë këtë ndihmë do të mirëprisnim një takim nga afër me Ju për të diskutuar me konkretisht rreth çështjes dhe detajeve”, shkruajnë studentët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë